Përkundër kërkesave të vazhdueshme nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe nga shtetet e QUINT-it për shtyrjen e afatit për zbatimin e vendimit për targa, Qeveria e Kosovës, në krye me Albin Kurtin, nuk e ka bërë një gjë të tillë në mënyrën se si i është kërkuar.
Ndonëse e kanë cilësuar si legjitim zbatimin e vendimit për kalimin e targave nga ato ilegale në legale, ShBA-ja ka kërkuar që ky vendim të shtyhet deri në 10 muaj.
Pas kësaj kërkese, Qeveria e Kosovës e ka ndarë vendimin në formë të “shkallëzuar”, apo në pjesë. Fillimisht, faza e parë përfshin lëshimin e fletëqortimeve ndaj personave që kanë targa ilegale në automjetet e tyre, faza e dytë e përfshinë lëshimin e gjobave dhe faza e tretë konfiskimin e automjeteve.
Edhe pas shtyrjes së pjesshme të vendimit nga qeveria, ShBA-ja prapë nuk ishte e kënaqur. Ajo është shprehur e zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës për mosplotësimin e kërkesës së tyre.
Ndërkaq, të enjten e 10 nëntorit, kryeministri Kurti përsëri ka deklaruar se nuk do ta shtyjë vendimin për targat për dhjetë muaj, edhe pse një gjë të tillë e kërkon me ngulm, sidomos ShBA-ja.
Kurti ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e ShBA-së.
Profesori Seb Bytyqi, për Portalin Dukagjini ka thënë se ende është duke u vazhduar “tradita” që Serbia të trajtohet më “butë” për ta larguar nga ndikimi i Rusisë.
Ai është shprehur se është i padrejtë presioni i krijuar mbi shtetin e Kosovës, për shkak se sipas tij Kosova është e gatshme për t’i evituar tensionet dhe njëkohësisht ta zbatojë edhe ligjin.
“Po vazhdohet ajo tradita se Serbia zakonisht trajtohet më butë me idenë se duhet të joshet drejt perëndimit dhe larg Rusisë, kurse gjithashtu po vazhdon në njërën anë ajo tradita e një qëndrimi mjaft mikromenaxhues ndaj Kosovës. Mendoj se është mjaft e padrejtë, përderisa Kosova mundohet t’i evitojë tensionet, atëherë nuk ka nevojë për mikromenaxhim nga partnerët ndërkombëtarë dhe duhet të ketë konfidencë në Kosovën që ka interes të mos ketë tensione, është në gjendje të menaxhojë disa çështje serioze”, ka deklaruar Bytyqi.
I pyetur se a mund të ndikojë debati apo tensionet e krijuara për targat në zvarritjen e një marrëveshjeje të mundshme përfundimtare, profesori Bytyqi ka thënë se varet nga qasja e shtetit të Serbisë.
“Varet prej mënyrës se si zbatohet vendimi në të ardhmen dhe varet se sa ka interes Beogradi që të shfrytëzojë këtë situatë, të shkaktojë tensione ta paraqesë atë si një pengesë për një marrëveshje. Duhet të ketë shumë kujdes në zbatimin e vendimit. Nëse zbatohet pa ndonjë problem apo pa ngritje të tensioneve, nuk besoj se mund të ndikojë në zvarritjen e dialogut apo në një marrëveshje përfundimtare, mirëpo, duhet të ketë kujdes”, ka deklaruar Bytyqi për Dukagjinin.
Ndryshe nga Bytyqi, mendon analisti politik, Artan Muhaxhiri, i cili thotë se Qeveria e Kosovës duhet të ketë harmoni të plotë të vendimeve me shtetet mike e posaçërisht me ShBA-në.
Muhaxhiri, ka theksuar se kryeministri Kurti duhet të jetë kreativ dhe të mundohet t’i përafrojë kërkesat e Kosovës me ato të Amerikës. Gjëja e fundit sipas tij që do duhej ta bënte një kryeministër, do të ishte “ballafaqimi frontal” me politikat e ShBA-së, të cilat do të kishin pasoja të rënda për shtetin e Kosovës.
“Për shkak të konteksteve të përgjithshme gjeostrategjike dhe gjeopolitike, lidershipi kosovar e ka absolutisht të domosdoshme që të jetë në harmoni të plotë vepruese me SHBA-të. Prandaj, çdo situatë konfliktuoze mes nesh – veçanërisht kur bëhet publike, i dëmton raportet dhe pastaj duhet punë shtesë për rikuperimin e tyre. Tash, mjeshtëria diplomatike e kryeministrit Kurti qëndron në koordinimin përafrues të kërkesave amerikane dhe interesave kosovare”, ka thënë ai.
Në pyetjen se a do ta pengojë çështja e targave mundësinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, Muhaxhiri ka thënë se kjo varet më shumë “nga natyra e reagimit të qytetarëve dhe politikanëve serbë”.
Nëse situata përshkallëzohet edhe më tej, sipas tij dialogu mund të ndalet tërësisht.
“Nëse përshkallëzimi do të jetë i ashpër – me mosbindje qytetare, bllokada rrugësh dhe suspendim të pjesëmarrjes në jetën institucionale të Kosovës – dialogu do të ndalet krejtësisht. E me të edhe procesi drejt Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse. Mirëpo, në qoftë se ndërkohë do të investohet shumënivelshëm në relaksim të gjendjes, edhe potenciali eksploziv aktual do të zbutet”, ka deklaruar ai.
Kurse, për refuzimin e zbatimit të kërkesave të ndërkombëtarëve, Muhaxhiri ka thënë se shpreson që kjo nuk do të shndërrohet në “trend” nga kryeministri Kurti, por sipas tij, ai duhet të gjejë rrugëdalje kreative, në të kundërt “pasojat politike do të jenë maksimale”.
Suspendimi i Drejtorit të Policisë për rajonin e veriut
Pak ditë pas deklaratës së tani ish-drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili tha se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojnë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletëve qortuese, është suspenduar nga ushtruesi i detyrës së Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti.
Sipas njoftimit, suspendimi i Gjuriqit u bë për shkak të “mosrealizimit të autorizimeve ligjore dhe zbatimit të vendimeve zyrtare”.
Këtë vendim e përkrahi edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se refuzimi për t’i zbatuar vendimet e institucioneve të Kosovës paraqet cenim të rëndë të sigurisë në vend.
Ndërkaq, pas shkarkimit të Nenad Gjuriqit, ka reaguar Lista Serbe, e cila ka paralajmëruar se do të largohet nga institucionet e Kosovës, teksa e ka cilësuar vendimin për shkarkimin e Gjuriqit si të paligjshëm.
Serbët e veriut në mes “dy zjarreve”
Qytetarët serbë të cilët po u përgjigjen pozitivisht institucioneve të Kosovës për largimin e targave ilegale të automjeteve dhe vendosjen e atyre RKS, po hasin në shumë vështirësi.
Në disa raste, siç është raportuar, atyre personave që i kanë konvertuar targat në RKS u janë djegur veturat nga strukturat ilegale serbe atje.
Vendimi për të mos i konvertuar tabelat e veturave, atyre mund t’u kushtojë me gjobë e konfiskim të automjetit nga institucionet e Kosovës, dhe nëse e bëjnë një gjë të tillë po përballen me shkatërrimin apo djegien e tyre.
Në javët e fundit janë shtuar incidentet në veri të Kosovës, që kryesisht kanë cak serbët që po riregjistrojnë makinat në RKS. I fundit ka ndodhur në Zubin Potok, ku një serbi i është djegur vetura.
Kërcënimet e Serbisë për ndërhyrje ushtarake
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ditë më parë kishte kërcënuar se ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie, për shkak të situatës në Kosovë, teksa kishte bërë të ditur se urdhrin për këtë e ka dhënë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Kjo deklaratë e tij vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ta zbatuar vendimin për konvertimin e targave ilegale në RKS.
Në lidhje me këtë çështje, ka folur edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, i cili ka thënë se këto kërcënime të Serbisë janë serioze, derisa e ka akuzuar atë se këto po i bën për ta destabilizuar Kosovën.
Targat që i lëshojnë autoritetet serbe konsiderohen të paligjshme në Kosovë, por ato janë toleruar në veri të Kosovës që nga paslufta, më 1999.