Ministria e Financave ka njoftuar se i është revokuar licensa Qendrës për të Moshuar, “Orenda”.
Në këtë qendër ishte sulmuar një grua e moshuar, nga një infermiere e cila e godiste vazhdimisht në fytyrë dhe në pjesë të barkut.
“Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin “Orenda” në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëhershëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit”, thuhet në njoftim.
“Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent ku është marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale”, vijon njoftimi.
Sipas vendimit të Komisionit, subjekti në fjalë është i obliguar që brenda një afati 24 orësh t’i njoftojë familjarët e rezidentëve lidhur me vendimin, kurse deri më datë 7 nëntor (e hënë) obligohet të dorëzojë licensën dhe të mbyllë aktivitetin e ofrimit të shërbimeve sociale.
Në lidhje me keqtrajtimin e së moshuarës, është diskutuar të mërkurën në “Debat Plus”, ku të ftuar kishte prokuror, aktivistë të shoqërisë civile, e përfaqësues të institucioneve të drejtësisë.
Pyetja e sondazhit në “Debat Plus” ishte se “A duhet të mbyllet shtëpia e të moshuarve “Orenda” në Pejë?”.
Në këtë sondazh kanë marrë pjesë 16 mijë e 169 persona të cilët për opsionin PO kanë votuar 13 mijë e 288 (82%) dhe për opsionin JO 2 mijë e 881 apo 18%.
Në lidhje me këtë rast janë paraburgosur tri infermiere në afat prej 30 ditësh.