Minsitrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se ka marrë pjesë në 55-vjetorin e themelimit të Institutit të Historisë.
“Instituti i Historisë ka krijuar studiues e historianë të rinj, të cilët kanë arritur të ecin në një hap me kolegët e tyre bashkëkohorë dhe sot punojnë në tematika interesante e atraktive, duke e pozicionuar Institutin edhe në sferën ndërkombëtare të institucioneve shkencore”, ka thënë Nagavci.
Ministrja Nagavci është shprehur se ndonëse Instituti i Histroisë gjatë kësaj periudhe ka karakter të një institucioni të studimeve historike kombëtare, “atë e shohim si pasuri e projekt kombëtar”, dhe sipas saj në të ardhmen e afërt duhet të rritet numri i departamenteve të studimeve.
“Sot kemi shumë studiues, historianë, me shkollim e përgatitje adekuate, të cilët do të ishin të aftë të kontribuonin në studimet historike sipas strategjisë së këtij Instituti”, është shprehur Nagavci.
Tutje ministrja e Arsimit ka theksuar se “është koha të flasim edhe për themelimin e departamenteve që në fokus të studimit kanë tema specifike si çështja e luftës, shtetndërtimit e dhunës gjenocidale, pa pasur kufizime vetëm brenda kufijve periodik”.