Në një komukatë për media, Policia e Kosovës ka thënë se është e angazhuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
“Referuar situatës dhe zhvillimeve aktuale në vend, Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, bazuar në aktet ligjore dhe kushtetuese, ka planifikimet e saj operacionale për ruajtjen e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës, lëvizjen e lirë si dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në gjithë vendin”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje, policia njofton se në vazhdimësi është duke i përcjellë zhvillimet në vend, përfshirë zhvillimet e fundit në veri.
“Policia e Kosovës, sipas nevojës dhe vlerësimeve operacionale do të angazhojë personelin e saj, me qëllim të kryerjes së detyrave dhe autorizimeve ligjore, në funksion të garantimit të sigurisë së përgjithshme në vend si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime”, thuhet në komunikatën për media.
Mes tjerash, njoftohet se njësitet policore të rendit publik dhe ato kufitare janë duke qarkulluar/lëvizur varësisht nga angazhimet dhe detyrat policore.