Me rastin e 23 vjetorit të masakrës së kryer në Poklek dhe Çikatovë të Drenasit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për krimet e kryera nga forcat serbe.
Ai, bashkë me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë homazhe në kompleksin memorial në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër.
“Dhembja e asaj dite të kobshme është ende e freskët në mesin e familjarëve të viktimave, ashtu si edhe kujtimi i tyre dhe i tërë popullit të Kosovës për tmerrin dhe terrorin e përjetuar 23 vite më parë. Ne nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi, derisa autorët e këtyre veprave makabre të dënohen”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkohë, ditën e 17 prillit të vitit 1999, policia serbe kreu dy prej masakrave më të tmerrshme në Drenicë, duke vrarë e djegur fëmijë, pleq, gra e burra në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër të Drenasit.
Homazhe pranë varreve të të rënëve, kanë bërë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me kryetarin e kuvendit Glauk Konjufca.
Sipas Osmanit, kjo masakër tregon qëllimin e qartë të regjimit serb të atëhershëm, për të shfarosur popullin shqiptar në Kosovë.
Ndërksa, Konjufca derisa theksoi se kjo është një plagë ende e hapur, që ende kullon, Konjufca ka përmendur që për këtë masakër deri më tani drejtësi nuk është vënë në vend.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se plagët që ka lënë gjenocidi serb në Kosovë, ende janë të njoma.
Ai, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se këto krime, as nuk mund të zhduken kurrë, e as të harrohen.
Ndërkohë, të shtunën e 17 prillit, janë bërë 23 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër, komuna e Drenasit , ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçarë.
Vetëm në fshatin Poklek, kanë mbetur të vrarë 54 persona. Sipas të mbijetuarve, nga 54 viktimat e kësaj masakre, 24 prej tyre kanë qenë fëmijë nën moshën 18 vjeçare.
Ndërsa në Çikatovë, po të njëjtën ditë, forcat serbe masakruan 24 qytetarë, po ashtu gra fëmijë e pleq.
Kurti për masakrën e Poklekut: Të njoma janë plagët nga gjenocidi i Serbisë