Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka reaguar në dy vjetorin e arrestimit bashkëluftëtarëve të tij, ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ka thënë se Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqi janë në betejë juridike e cila është e bazuar në trillime dhe të pavërteta.
“U bënë sot plot dy vite nga procesi i filluar gjyqësor në Hagë që largoi padrejtësisht nga pragu i shtëpisë së tyre bashkëveprimtarët e mi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin”, ka shkruar në Facebook Ali Ahmeti.
“Një betejë juridike e bazuar në trillime dhe të pavërteta, në tendencën djallëzore për të nxirë kauzën e drejtë të lirisë së Kosovës”, ka shtuar ai.
“Kërkojmë njëzëri proces të drejtë gjyqësor, rishikimin e Rezolutës 1782 të Dick Martit dhe lirimin sa më të shpejtë të atyre që ishin pjesë e një kauze të pastër, të përkrahur nga mbarë faktori ndërkombëtar”.
Ahmeti ka përfunduar duke thënë se populli shqiptar ka bërë luftë të pastër në trojet e veta ku është autokton dhe ai beson se drejtësia do të triumfojë, sepse krerët e UÇK-së janë të pafajshëm.