Policia e Kosovës ka njoftuar se të shtunën e pesë nëntorit, hetuesit e Njësitit të hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, kanë arrestuar shtatë persona të dyshuar për së paku pesë raste të grabitjeve të armatosura, si dhe një tjetër për armëbajtje pa leje.
“Operacionet janë realizuar në tri lokacione të ndryshme, në zonën e Lipjanit dhe Drenasit, ku janë arrestuar personat e dyshuar, të cilët dyshohet se janë përfshirë në së paku pesë raste të grabitjeve, të cilat kanë ndodhur në periudhën korrik -shtator 2022, kryesisht në pompaderivatesh”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Tutje poilicia ka njoftuar se gjatë këtij operacioni janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri AK 47, një pistoletë TT, tre karikatorë, 48 fishekë, 30 paketime te vogla substancë e dyshuar narkotike (dyshohet marihuanë) e të tjerë.
Të arrestuarit dyshohet se janë të përfshirë në veprat si grabitje e armatosur, grabitje në tentativë, mbajtje në pronësi kontroll ose posedim i paautorizuar i armës, përdorimi i armës si dhe posedim ilegal i substancave narkotike.
Policia e Kosovës ka njoftuar se me vendim të prokurorit të arrestuarit janë dërguar në mbajtje.