Sipas Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, masat ndëshkuese kundër Moskës tashmë po hyjnë në fuqi, dhe, se sanksionet po hyjnë më thellë në ekonominë ruse.
Ajo ka deklaruar se eksportet në Rusi kanë rënë me 70 për qind, dhe produkti i brendshëm bruto në Rusi do të bjerë me 11 për qind.
“Falimentimi shtetëror i Rusisë është vetëm çështje kohe. Me këtë luftë, Putin po shkatërron, gjithashtu, vendin e tij dhe të ardhmen e popullit të saj”, ka thënë Ursula von der Leyen në intervistë për gazetën gjermane Bild am Sonntag.
Gjithashtu, ajo ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian (BE) planifikon të sanksionojë huadhënësin më të madh rus Sberbank (SBER.MM) dhe firmat e tjera financiare ruse në raundin e ardhshëm të kufizimeve.
Sipas von der Leyen, Komisioni i Bashkimit Evropian është “në procesin e zhvillimit të mekanizmave të zgjuar, në mënyrë që nafta të përfshihet, gjithashtu, në hapin e ardhshëm të sanksioneve”.
BE do të sanksionojë bankat ruse
Sanksionet e ardhshme të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë do të synojnë bankat, veçanërisht Sberbank (SBER.MM), si dhe naftën, ka thënë von der Leyen për gazetën gjermane.
Në intervistën që ka publikuar Bild am Sonntag, asaj i është kërkuar të përmendë pikat kyçe të një raundi të gjashtë të planifikuar të sanksioneve.
“Ne po shikojmë më tej sektorin bankar, veçanërisht Sberbank, i cili përbën 37% të sektorit bankar rus. Dhe, sigurisht, ka çështje energjie,” ka thënë ajo.
BE-ja deri më tani e ka kursyer bankën më të madhe ruse nga raundet e mëparshme të sanksioneve, sepse ajo, së bashku me Gazprombank, është një nga kanalet kryesore për pagesat për naftën dhe gazin rus, që vendet e BE-së kanë blerë, pavarësisht konfliktit në Ukrainë.
Ajo ka thënë, gjithashtu, se BE-ja po punon për “mekanizma të zgjuar”, në mënyrë që nafta të mund të përfshihet edhe në sanksionet e ardhshme.
“Prioriteti kryesor është tkurrja e të ardhurave të Putinit,” është shprehur ajo.
Megjithatë, presidentja e Komisionit të BE-së po u kërkon, gjithashtu, vendeve të BE-së, që të dorëzojnë armë në Ukrainë sa më shpejt dhe se nuk përjashton asnjë lloj të armëve.
“Unë nuk bëj dallim midis armëve të rënda dhe të lehta, Ukrainës duhet t’i jepet ajo që i nevojitet në mbrojtje dhe çfarë mund të përballojë”, ka thënë von der Leyen.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë mbrojtur hapur ndalimin e importeve të naftës edhe nga Rusia . “Unë mendoj se veprimet për naftën dhe madje edhe gazin do të nevojiten herët a vonë,” ka thënë Presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel në Parlamentin Evropian në Strasburg.
Presidentja e Komisionit të BE-së, ka shtuar se Gjermania ka mbështetur Ukrainën për shumë vite, dhe ka miratuar të pesë paketat e sanksioneve që i kanë propuzuar brenda 48 orësh, dhe se BE-ja kurrë nuk ka vepruar aq e bashkuar, e vendosur dhe energjike sa është tani.
Eksportet e naftës dhe gazit në Evropë janë burimi kryesor i të ardhurave të Rusisë. Sipas agjencisë së statistikave Eurostat, vendet e BE-së kanë paguar 99 miliardë euro për eksportet ruse të energjisë vitin e kaluar. Megjithatë, energjia ishte dukshëm më e lirë vitin e kaluar dhe shteti rus mund të presë një sasi shumë më të madhe të ardhurash nga nafta dhe gazi këtë vit dhe t’i përdorë ato për të zbutur sanksionet kundër sistemit të tij financiar.
Më 5 prill, Komisioni i BE-së prezantoi një paketë sanksionesh që përfshinte një embargo të qymyrit, e që shtetet anëtare ende duhet ta votojnë atë. Është planifikuar një periudhë tranzitore tremujore. Tregtia e qymyrit me Rusinë ka një vëllim vjetor prej katër miliardë eurosh.