Përfaqësuesit e Listës Serbe, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, të shtunën e 5 nëntorit.
Pas takimit të mbajtur në Zveçan, ishte momenti pas deklaratës së një zyrtari policor serb, atëherë kur një pjesë tjetër e policëve serbë zhveshën uniformat e Policisë së Kosovës për të treguar në mënyrë simbolike se bojkotimi tashmë po ndodhte.
Përveç zyrtarëve policorë, punonjësve të gjykatave dhe institucioneve të tjera, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e komunave veriore dhe Goran Rakiq, nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Një njoftim i tillë erdhi pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Bojkotimi nuk përfundon me kaq. Të dielën, janë paralajmëruar protesta.
Serbët vendosin t’i bojkotojnë institucionet e Kosovës (VIDEO)
Pse këto veprime?
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës, për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq. Gjuriq kishte refuzuar të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.
Ndonëse janë toleruar deri më tani, targa të tilla konsiderohen të paligjshme në Republikën e Kosovës.
Kryetari i Listës Serbe vendosi kushte pas takimit të mbajtur në Zveçan. Ai tha se vendimet për largim nga institucionet do të zbatohen deri në momentin kur “Prishtina fillon të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel”.
Gjithashtu, ai ka deklaruar se ka dhënë dorëheqje nga “pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës”, aty ku mbante pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim. Krahas Rakiq, edhe deputeti në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq, ka bërë të ditur se dorëzon dorëheqjen në emër të 10 deputetëve në kuvend.
Figurat që reaguan pas bojkotimit të institucioneve të Kosovës nga Lista Serbe
Veprime të tilla, janë konsideruar si veprime të drejtuara nga Beogradi me qëllim të destabilizimit të sigurisë në vend nga ana e të parës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo ka deklaruar përmes një postimi në Facebook se, autoritetet e Kosovës do të marrin hapa për të garantuar sigurinë publike dhe se kjo, do të ndodhë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë.
“Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe Policia e Kosovës është akt kundër demokracisë, sundimit të rendit e ligjit. Një veprim i tillë është bërë me presionin e pushtetit në Beograd. Qasja e tillë po u shkakton probleme serioze qytetarëve serbë në veri, të cilët po ndihen të rrezikuar nga veprimi i strukturave ilegale, të cilat synojnë destabilizimin”.
Krahas kësaj, ajo u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të mos bien pre e propagandës nga Serbia, për interesat e saj destablizuese ndaj Kosovës dhe rajonit.
Një thirrje nuk mungoi as nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai ka ftuar të gjithë qytetarët serbë në Kosovë që të mos braktisin institucionet e Kosovës.
“Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”, ka thënë Kurti në thirrjen drejtuar serbëve të Kosovës, duke i ftuar “që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë” gjersa ai ka theksuar se nuk është kundër serbëve të Kosovës, por është Beogradi ai që është kundër tij.
“Unë nuk jam kryeministër kundër juve, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Prioritet imi janë luftimi i korrupsionit, pra drejtësia, dhe zhvillimi ekonomik, pra punësimi; barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhje”, ka thënë ai, përmes një postimi në Facebook.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë shprehur të shqetësuara për situatën në veri. Ato kanë kërkuar nga Qeveria që të reflektojë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar për ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Veri të Kosovës, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Krasniqi ka thënë se situata gjatë ditës së shtunë në veri të vendit shënon një akt të paprecedentë, jo vetëm të dënimit të sovranitetit juridik e shtetëror të Republikës së Kosovës, por edhe cenimin e rendit publik.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë se Kosovës i duhet udhëheqje e matur, e cila “nuk bie në grackat destabilizuese të Serbisë, por që synim ka integrimin e vazhdueshëm e të plotë të serbëve të Kosovës e që mjet të domosdoshëm ka koordinimin e ngushtë me aleatë ndërkombëtarë”.
Në njoftimin e Zyrës për Informim të LDK-së, thuhet se politikat populliste, me synim turmat partiake para interesave madhore nacionale, i sjellin Kosovës dëme afatgjate dhe regres në arenën ndërkombëtare.
Veprimet në veri të Republikës së Kosovës, u mbështetën nga ana e kryeministres serbe, Ana Bërnabiq.
“Në luftën e tyre për paqe, stabilitet, sundim të ligjit dhe respektim të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara, ata do ta kenë gjithmonë mbështetjen e plotë të Qeverisë së Serbisë”, ka thënë ajo.
Si rrjedhojë e “sagës së targave”, përgjatë javëve të fundit në veri, janë regjistruar katër raste të djegies së makinave të pronarëve serbë, vetura të cilat ishin konvertuar në targa të RKS-së.
Reagimi i BE-së
Bashkimi Evropian, ka deklaruar se tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale.
Sipas njoftimi të BE-së, ajo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.
“Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, thuhet në komunikatën e BE-së.
Në këtë njoftim, thuhet se zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i vënë në rrezik vitet e punës së palodhur dhe arritjet e arritura në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe pengojnë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë.
“Bashkimi Evropian u bën thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme. Në të njëjtën kohë, BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut”, vijon njoftimi.
BE-ja gjithashtu i ka bërë thirrje Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.
Disa persona të maskuar dhe të armatosur janë filmuar të shtunën e pesë nëntorit në Veri të Kosovës.
Në sfond të pamjeve të publikuara nga “Istraga”, dëgjohen të shtëna armësh.
Po ashtu, këta persona të panjohur dëgjohen teksa thërrasin më zë të lartë se “jemi kthyer, Kosova është Serbi, Krimea është Rusi”.
“Persona të maskuar të armatosur me automatikë janë filmuar sonte në veri të Kosovës. Në sfond dëgjohen të shtëna armësh, ndërsa burra të panjohur thonë – “Jemi kthyer”. Kosova është Serbi, Krimea është Rusi”.
“Për Istarag u konfirmua se janë dëgjuar të shtëna armësh në afërsi të vendit ku është xhiruar video”, thuhet në një postim në Twitter të mediumit “Istraga”.
Maskirani muškarci naoružani automatskim puškama večeras su snimljeni na sjeveru Kosova. U pozadini se čuju rafali dok nepoznati muškarci govore – “Vratili smo se. Kosovo je Srbija, Krim je Rusija”. Za @IstragaB je potvrđeno da su se čuli rafali u blizini mjesta nastanka snimka pic.twitter.com/KhXmZiCyYO
— Istraga.ba (@IstragaB) November 5, 2022
Portali Dukagjini ka pyetur policinë e Kosovës për informacione të mëtejshme, por zëdhënësi i policisë në rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka deklaruar se nuk ka ndonjë të dhënë.