Policia e Kosovës ka njoftuar se po vazhdon angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në veri të Mitrovicës, në lidhje me protestën e paralajmëruar nga Lista Serbe në ora 12:00.
“Referuar informacioneve mbi zhvillimet e fundit dhe paralajmërimeve për mbajtjen e një proteste/tubimi sot në ora 12:00, Policia e Kosovës duke njohur të drejtën për tubime publike, përmes protestave paqësore, sipas detyrës zyrtare, ka bërë planifikimet e saja operacionale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Po ashtu, thuhet se përmes planit operacional, Policia e Kosovës ka për qëllim ndërmarrjen e masave operative policore, për t’u siguruar se mbarëvajtja e protestës apo tubimit të kalojë e qetë dhe pa incidente, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike si dhe mbrojtjen e rendit kushtetues të Kosovës.
Policia e Kosovës fton qytetarët që të protestojnë në mënyrë të qetë, dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato.