Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, teksa ka komentuar vendimin e Qeverisë lidhur me çështjen e targave, ka thënë se ndonëse Kosova ka plotësisht të drejtë por nuk e ka mbështetjen e miqve, atëherë sipas tij, i bie që politika e Qeverisë aktuale nuk po u shërben interesave të shtetit.
Kështu ka thënë ai në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ku shtoi se Kosova ka pasur gjithmonë të drejtë në çdo veprim që ka ndërmarrë në 30 vitet e fundit në përpjekjet e veta për të fituar fillimisht lirinë, e mandej shtetin e pavarur dhe fuqizuar sovranitetin shtetëror, rendin dhe ligjin.
“Në veprimet e ndërmarra lidhur me targat e automjeteve në komunat në veri, Kosova ka plotësisht të drejtë. Këtë e kanë konfirmuar edhe miqtë. Por është e qartë se Kosova nuk e ka mbështetjen e miqve për kohën e ndërmarrjes së këtyre veprimeve”.
“Nëse këto veprime të Qeverisë, që janë të drejta por që nuk e kanë mbështetjen e miqve vetëm sa i përket kohës së ndërmarrjes së tyre, çojnë në situatë kur në vend të institucione të Kosovës aktivizohet KFOR-i e EULEX-i për të ruajtur rendin dhe sigurinë në ato komuna, atëherë është e qartë se kjo politikë e Qeverisë nuk u ka shërbyer interesave të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, përpjekjet e Kosovës kanë sukses vetëm kur janë të koordinuara dhe të mbështetura nga miqtë euroatlantikë.
“Ne e kemi shpallur njëherë pavarësinë në fillim të viteve të ‘90-ta. Mandej e kemi shpallur prapë më 2008, për shkak se herën e parë nuk ka pasur mbështetje nga miqtë”, shtoi ai.