Të tretin me radhë në ballkon po e vendos, për numrin është i sigurt po për pozicionin ka dilema. Edhe fqinji tjetër e ka kryer këtë porosi por në masë më të vogël. Secili ballkon, rrugicë, e shesh i Mitrovicës Veriore, të dielën ishte i stolisur me flamuj serbë. Për ata që nuk kanë me vete, organizatorët përkujdesen që t’ua sigurojnë.
Edhe një i moshuar e ka pranuar ftesën e Listës Serbe për protestë, në qendër të sheshit “Car Lazari”, me helmetë të kohës së UNMIK-ut e rezolutën 1244 të shënuar në të.
Gjatë gjithë kohës në prapavijë dëgjohej e këndohej kënga nacionaliste.Se serbët janë merakli të historisë e dëshmojnë edhe pamjet e kostumeve të vjetra që mbanin të pranishmit në ballinë të protestës. Pikërisht për një marrëveshje të së kaluarës prijësi i protestës foli më së gjati.
“Me dorëheqjet tona ne jemi duke mbrojtur marrëveshjen e Brukselit dhe të drejtën ndërkombëtare. Kujtojeni faktin se Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe liderët tjerë nga Prishtina shumë herë kanë përsëritur se për ta nuk ekziston marrëveshja e Brukselit dhe se kurrë nuk do të bëhet Asociacioni i komunave serbe. Marrëveshjet nuk iu interesojnë me ç’rast kanë shkelur marrëveshjen e Brukselit dhe kanë pështyrë në fytyrë të Unionit Evropian, e cila ka qenë garant i zbatimit të këtyre marrëveshjeve dhe garanci për neve se nuk do të jemi të mashtruar. Dua të shfrytëzoj rastin të theksoj në veçanti se ne dëshirojmë paqe dhe vetëm paqe .. Ne nuk duam ta kërcënojmë askënd, përveç se dëshirojmë që të zbatohen marrëveshjet e arritura dhe të formohet Asociacioni dhe të përmbushen të gjitha marrëveshjet e Brukselit. Natyrisht të tërhiqen të gjitha vendimet e njëanshme si ai përket targave”, ka thënë Rakiq.
Asociacionin po e përmend edhe vartësi i tij, Igor Simiq, por pa e harruar njeriun që është në Listën e Zezë të Shteteve të Bashkuar të Amerikës.
“Dorëheqjet të të gjithë neve nga Lista serbe, gjyqtarëve, prokurorëve, policëve të ndershëm, nuk janë rezultat i asaj se jemi lodhur, por për faktin se nuk duam të jemi paravan të institucioneve të Kosovës që të vazhdojnë me dhunën institucionale ndaj popullit tonë…(Bashkësia Ndërkombëtare) Mbrëmë vonë na ka dërguar disa lloj ftesash paralajmërime, disa mund të thonë edhe kërcënime, që të kthehemi nëpër institucione, por zotërinj, kur keni heshtur derisa suspenduan Gjuriqin, rrahur qytetarët tanë dhe rrejshëm kanë ngritur aktakuza, atëherë heshtni edhe tani sepse nuk keni çfarë të thoni të mençur”.
“Kurti para disa ditësh ka përsëritur se nuk ka komuna serbe në Kosovë, me qindra herë ka thënë se nuk ekziston marrëveshja e Brukselit dhe obligimi i tij për formimin e Asociacionit, e pra, prandaj nuk ka deputetë serbë në Kuvendin e Kosovës dhe institucione të Kosovës në veri… Më duhet të përmendi njeriun i cili vitet e fundit është duke bartur barrën më të madhe vetëm se e donë dhe mbron popullin serb dhe shtetin e Serbisë, andaj ju lusë që me duartrokitje të fortë ta përshëndesim patriotin e sinqertë dhe serbin e madh, i cili asnjëherë nuk iu nënshtrua presioneve dhe nënçmimeve, vëllain tonë, Milan Radoiçiqin”, ka theksuar Simiq.
Përveç Asociacionit kërkesë tjetër e përfaqësuesve ishte edhe shfuqizimi i vendimit për targat. Protesta e serbëve nuk u kufizua vetëm nëpër sheshe. Të organizuar, shumë serbë dorëzuan edhe zyrtarisht dorëheqjen nga Policia e Kosovës.
Në nën-stacionin e Zveçanit afër Gjykatës ata paraqitën dorëheqjen siç thuhet për arsye personale e morale. RTV Dukagjini mëson se të hënën serbët do të dorëzojnë armët dhe kartelat identifikuese në stacionet përkatës. Bashkë me ta uniformën e policisë pritet ta braktisin edhe policët kujdestarë.