Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit rreth marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shqetësuese të mëdha dhe e vënë në rrezik progresin e rëndësishëm të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
Në një përgjigje për RTV Dukagjini nga ambasada amerikane në Prishtinë, thuhet se SHBA-të përsëri i bashkohen BE-së për t’i kërkuar Qeverisë së Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë.
“Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM derisa të zgjidhet çështja e targave nga palët në kuadër të Dialogut”.
“Kjo gjithashtu nënkupton fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASM). Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që ASM duhet të krijohet, gjë që e bën themelimin e ASM-së obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”.
Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës sipas ambasadës amerikane nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.
“Të gjithë të përfshirët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin në terren. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetët e pafajshëm dhe ato të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”, thuhet në përgjigje.
“Prandaj, Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, vijon përgjigja.
Sipas tyre, është përgjegjësi e të dyja palëve të garantojnë paqen dhe stabilitetin në terren.
SHBA-ja vlerëson se veprimet, të tilla si djegia e makinave ose retorika frikësuese, janë të papranueshme dhe do të nxisin një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar.
“Ne u bëjmë thirrje atyre që të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar për të lehtësuar negociatat. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të bëra në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.