Nga protesta e serbëve e deri te thirrja e ShBA-së, gjithçka nga situata në veri

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave nga ato ilegale në ato RKS, ka bërë që serbët që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, të organizojnë protesta të dielën e 6 nëntorit. Ndërsa, menjëherë pas përfundimit të protestës, zyrtarët policorë serbë kanë dorëzuar fletdorëheqjet e tyre dhe nuk kanë dalë në punë në pikën kufitare në Jarinjë





Protesta e serbëve në sheshin “Car Lazar” në Mitrovicë të Veriut kishte filluar, të dielën e 6 nëntorit në ora 12:00.

Në krye të kësaj proteste kanë qenë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq me pjesëtarët e tjerë të kësaj partie, dhe po ashtu, pjesë e protestës ishte edhe kryetari i komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq.

Ndërkaq, para fillimit të protestës, një grup i të rinjve shqiptarë kanë vendosur flamurin e Kosovës dhe të Shqipërisë, në “Lagjen e boshnjakëve” në Mitrovicë.

Qytetarët të cilët e kanë marrë këtë iniciativë kanë thënë se kjo po bëhet për të treguar se veriu është tokë e Kosovës dhe e shqiptarëve.

Bojkotimi i institucioneve

Dhjetëra serbë të Policisë së Kosovës, të dielën, kishin filluar t’i dorëzojnë dorëheqjet e tyre në stacionin policor të Zveçanit.

Dorëzimi i këtyre fletëdorëheqjeve ka ardhur pas përfundimit të protestës së serbëve në sheshin “Car Lazar”, të organizuar nga Lista Serbe.

Ekipi i gazetarëve të RTV Dukagjini që kanë raportuar për ngjarjet në veri të vendit, kanë siguruar dokumentin ku shihet dorëheqja e pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës.

“Për arsye personale dhe morale, jap dorëheqje nga Policia e Kosovës”, thuhet në arsyetimin e dorëheqjes.

Fletë dorëheqje

Ndryshe, të shtunën e 5 nëntorit, përfaqësuesit e Listës Serbe, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Një njoftim i tillë erdhi pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka pasur dorëheqje të punonjësve policorë të komunitetit serb në veri të vendit.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara, dhe se të gjitha veprimet do t’i ndërmarrë konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, konform vlerësimeve dhe planifikimeve operacionale, me qëllim të ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe mbikëqyrjes dhe kontrollit kufitar.

“Kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka treguar se deri kur do të zgjasë bojkotimi institucioneve të Kosovës nga komuniteti serb.

“Këto vendime do të mbesin në fuqi derisa Prishtina vazhdon të mos respektojë të drejtën ndërkombëtare, që i bie të kthejë prapa vendimin për regjistrimin, derisa të miratojë Asociacionin e Komunave”, ka thënë Goran Rakiq.

Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe

Ndryshe, që nga një nëntori, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj – në tri faza – për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për shoferët dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill, dhe nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Mitrovica Veriore, Leposaviqi, Zubin Potokut dhe Zveçani, nga e diela, kanë mbetur pa udhëheqës.

Krejt kjo pas dorëheqjes së kryetarëve të këtyre komunave, veprim i cili u formalizua një ditë pasi u mor vendimi për të.

Ky vendim i Listës Serbe, automatikisht, i dërgon komunat veriore në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Po duhet të ketë zgjedhje atje pasi kanë dhënë dorëheqje dhe nuk mund t’i zgjidhësh pas dorëheqjes. Nuk mund t’i emërojë askush pasi ata kanë dhënë dorëheqje. Sa i përket deputetëve të Kuvendit, proceduara e do kur dikush dorëhiqet, zëvendësohet më ata që janë në listë, por duhet marrë parasysh që ata prej Listës Serbe nuk dihet a do të pranojnë”, ka thënë analisti, Visar Ymeri.

Se ligji duhet të respektohet, dhe në këto komuna, të organizohen të zgjedhje demokratike e thotë edhe analisti, Gazmir Raci. Vetëm se Raci është skeptik se dorëheqjet duhet do të dorëzohen edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Brenda afateve ligjiore që janë të përcaktuara këta nuk do t’i dorëzojnë dorëheqjet në KQZ dhe do tëgjejnë zgjidhja që këta që të rikthehen. Edhe nëse nuk kthehen krytarët, atëherë nënkryetarët do të mund të udhëheqin për një kohë të caktuar, ashtu siç e definon ligji për zgjedhje lokale”, ka thënë analisti Gazmir Raci.

Një ditë më parë, më 5 nëntor, Lista Serbe ka njoftuar për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Vendimi ka ardhur pas vendimeve të Qeverisë së Kosovës, fillimisht, për targat ilegale serbe dhe më pas për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar ta zbatojë atë vendim.

Përforcimi i pikave kufitare dhe reagimi amerikan

Ndërkaq, mbrëmjen e 6 nëntorit, autoblindat e Njësisë Speciale janë vendosur në pikën kufitare në Jarinjë.

Të gjithë zyrtarët policorë nga komuniteti serb, nga mëngjesi 6 nëntorit, nuk janë parë në vendin e tyre të punës në këtë pikë kufitare.

Ndërkaq, në një përgjigje për RTV Dukagjini nga ambasada amerikane në Prishtinë, thuhet se SHBA-të përsëri i bashkohen BE-së, për t’i kërkuar Qeverisë së Kosovës që të respektojë detyrimet e saj pa vonesë.

“Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM derisa të zgjidhet çështja e targave nga palët në kuadër të Dialogut”.

“Kjo gjithashtu nënkupton fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASM). Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që ASM duhet të krijohet, gjë që e bën themelimin e ASM-së obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”.

Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës, sipas ambasadës amerikane, nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale, dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.

“Të gjithë të përfshirët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin në terren. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetët e pafajshëm dhe ato të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”, thuhet në përgjigje.

Ambasada e SHBA-ve në Kosovë

“Prandaj, Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së, duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës, që të respektojnë detyrimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, vijon përgjigja.

Sipas tyre, është përgjegjësi e të dyja palëve të garantojnë paqen dhe stabilitetin në terren.

SHBA-ja vlerëson se veprimet e tilla si djegia e makinave ose retorika frikësuese, janë të papranueshme, dhe do të nxisin një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar.

“Ne u bëjmë thirrje atyre që të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së, për të vazhduar për të lehtësuar negociatat. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të bëra në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika