Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre të dielën, të hënën e 7 nëntorit, kanë filluar t’i dorëzojnë armët në nënstacionin policor të Zveçanit.
Dorëzimi i armëve dhe fletëdorëheqjeve, vjen pas përfundimit të protestës së serbëve në sheshin “Car Lazar” të organizuar nga Lista Serbe.
Ekipi i gazetarëve të RTV Dukagjini që kanë qenë duke raportuar për ngjarjet në veri të vendit, kanë siguruar dokumentin ku shihet dorëheqja e pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës.
“Për arsye personale dhe morale, jap dorëheqje nga Policia e Kosovës”, thuhet në arsyetimin e dorëheqjes.
Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës dorëzojnë dorëheqjet në stacionin policor në veri (DOKUMENT)
Po ashtu, përmes një njoftimi, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka pasur dorëheqje të punonjësve të komunitetit serb në pjesën veriore të Kosovës.
Policia e Kosovës, gjithashtu, ka njoftuar se ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara, dhe se të gjitha veprimet do t’i ndërmarrë konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese.
Ndryshe, të shtunën e 5 nëntorit, përfaqësuesit e Listës Serbe, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Një njoftim i tillë erdhi pas vendimit të autoriteteve të Kosovës, për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Policia njofton se ka pranuar dorëheqje të zyrtarëve të komunitetit serb gjatë së dielës