Ish-kryenegociatorja e Kosovës për dialog, Edita Tahiri, ka reaguar për zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Sipas Tahirit, Serbia gjithmonë ka qenë në kërkim të skenarëve për ndarje të veriut nga Kosova. Ajo shtoi se këtë pretekst “e ka shfaqur indirekt edhe në dialogun e Brukselit”.
“Sa isha kryenegociatore për shtatë vite nuk e lejova asnjëherë, madje kur ishte nevoja ua tregoja se tokat shqiptare shtrihen deri te ‘molla e kuqe'”, ka thënë Tahiri.
Ish-kryenegociatorja për dialog ka shtuar “se nuk është e rastësishme që Vuçiq, sot, i bëri thirrje ShBA-ve dhe NATO-s të ndërhyjnë në veri për ta qetësuar situatën”.
“Prandaj, Qeveria e Kosovës, por edhe i gjithë spektri politik, pozitë dhe opozitë, duhet të jenë në nivelin e përgjegjësisë shtetërore dhe kombëtare, për të mos lejuar skenarë që mund të destabilizojnë situatën dhe të çojnë ujë në mullirin e Vuçiqit!”, ka theksuar Tahiri.