Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në lidhje me situatën aktuale në veri të vendit, ka thënë se Serbia ka shfrytëzuar pretekstin e targave, për të larguar vëmendjen nga plani franko-gjerman, për të cilin, ka thënë se Serbia e ka refuzuar zyrtarisht.
“Situata e sigurisë në Kosovë është në kontroll, policia është e pranishme sipas ligjeve, edhe në kufi edhe në dogana, e mendoj që përpjekja e Vuçiqit e përkthyer politikisht ka filluar dje, është të mbulojë atë që ka qenë thelbësore dje, është që Republika e Serbisë, të cilën ne nuk e njohim, e ka refuzuar zyrtarisht planin franko-gjerman”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka thënë se thelbi i planit franko-gjerman është që Serbia të heqë dorë nga Kosova e të respektohet në mënyrë reciproke sovraniteti ndërmjet dy shteteve, të cilën sipas tij, Serbia po mundohet ta zhvendosë me situata të tjera sikurse situatën e fundit në veri.
“Targat janë preteksti, nuk janë për Serbinë qaq esenciale politikisht në kuptimin shtetëror, më me rëndësi ka qenë mbajtja e referendumit dhe mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë”, ka vijuar ai.
Sa i përket reagimit, bllokadave, përpjekjeve për sabotim, dorëheqjeve, ai ka thënë se është vetëm një orkestrim, në të cilin, dirigjenti i padiskutueshëm është Aleksandër Vuçiq dhe Serbia.
Sipas tij, kjo situatë nuk ka të bëjë me reagim spontan të qytetarëve lokalë serbë.
Ndërsa, për asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ai ka thënë se “Asociacioni, nuk hyn në fuqi pa u vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese, kur e kemi dërguar në Gjykatë Kushtetuese është obligim ligjor kushtetues dhe ka vlerësuar se ka 23 shkelje, procesi ka mbetur që paralelisht me një marrëveshje përfundimtare me Serbinë të integrohet si një zgjidhje, por në horizontin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.
Ndryshe, të shtunën e 5 nëntorit, përfaqësuesit e Listës Serbe, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Një njoftim i tillë erdhi pas vendimit të autoriteteve të Kosovës, për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.