Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me situatën aktuale në veri të vendit, për të cilën, PDK-ja ka ngritur shqetësimet e saj.
Sipas Krasniqit, dorëheqjet e fundit të Listës Serbe e të zyrtarëve policorë e punonjësve në sistemin e drejtësisë nga institucionet e Kosovës, përbëjnë akt të paprecedent dhe krijojnë një situatë problematike për Kosovën.
“Zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit janë shumë shqetësuese dhe cenojnë funksionimin, stabilitetin dhe sovranitetin e shtetit tonë. Në këtë situatë, ku epilogu është i paqartë e rreziku i përshkallëzimit është evident, komunikimi dhe harmonizimi i veprimeve të institucioneve dhe të gjithë akterëve politikë është i domosdoshëm”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai ka kërkuar nga Qeveria që të ketë harmonizim të veprimeve me opozitën dhe gjithë spektrin politik, dhe po ashtu, të ketë koordinim edhe me aleatët ndërkombëtarë.