Nikola Kabashiq është paraqitur për herë të fundit në cilësinë e gjyqtarit në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.
Kabashiq, bashkë me 24 kolegë të tjerë serb, dorëzuan gjatë ditës së hënë dorëheqjen.
Vendimet e tyre, tashmë janë duke u vlerësuar nga autoritetet kompetente brenda Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Veprimi i tyre, avokati Musa Damati tregon se menjëherë e paralizoi Themeloren e Mitrovicës.
“Të gjitha seancat e planifikuara që të mbahen sot dhe ditëve në vijim janë shtyer me arsyetimin e mirënjohur tani, se është pezulluar puna e tyre”, ka thënë Damati.
Ndryshe nga Mitrovica, gjyqtarët serb në disa prej Gjykatave të tjera janë paraqitur si zakonisht në punë.
Zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka Lutfiu e ka konfirmuar se në këtë institucion të gjithë gjyqtarët dhe ndihmësit e tyre kanë qenë të hënën të pranishëm në punë.
Për ish-kryetarin e Supremes, Fejzullah Hasani, gjyqtarët e dorëhequr do të duhej ta humbnin mundësinë që kurdoherë të riktheheshin në gjykatat kosovare.
“Parimisht, po të respektohej standardi, po të respektohej ligji, po të respektohej konventa evropiane, ata nuk do të duhej të ktheheshin kurrë, sepse haptazi duket se ju kanë mbështetë politikës dhe kanë rënë pre e ndikimeve politike, ndërsa dihet që gjyqtarët nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet politik”, ka thënë Hasani.
Hasani vlerëson se do të jetë e vështirë zëvendësimi i gjyqtarëve serb, sepse thotë se edhe ata që do të mund t’i plotësonin këto pozita, mund të bëjnë obstruksione.
Situata e krijuar, Gzim Shala nga IKD vlerëson se do të paraqesë shumë pasoja.
“Dorëheqja e tyre definitivsht se i zhbënë të gjitha të arriturat në procesin e dialogut, përmes së cilit edhe është bërë integrimi i gjyqësorit në veri të vendit dhe kjo definitivisht paraqet pasoja të mëdha, veçanërisht për qytetarët të cilët kanë nevojë për shërbime gjyqësore”, ka thënë Shala.
Sikur Gjykata, edhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka mbetur pa dhjetë prokurorë serbë.
Këshilli Prokurorial ka njoftuar se dorëheqje kanë ofruar edhe stafi administrativ i këtij komuniteti.
Këshilli nuk i është përgjigjur Televizionit Dukagjini se si do të veprojë në gjithë këtë situatë.