Fillimi i javës ka nisur me një hov të vrullshëm dhe dinamik, ku nga orët e para të mëngjesit të së hënës pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre të dielën, kanë filluar t’i dorëzojnë armët në nënstacionin policor të Zveçanit.
Dorëzimi i armëve dhe fletëdorëheqjeve vjen pas përfundimit të protestës së serbëve në sheshin “Car Lazar” të organizuar nga Lista Serbe të dielën e 6 nëntorit.
Pas këtij dorëzimi, vjen edhe dorëzimi i mandateve nga deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca.
Dorëzimi i mandatave ka ardhur dy ditë pas bojkotimit të institucioneve nga Lista Serbe. Më 5 nëntor Lista Serbe vendosi që t’i largojë të gjithë serbët nga institucionet qendrore dhe ato lokale.
Më tej dorëzimi tjetër ka ardhur nga gjyqtarët serbë në Gjykatën Themelorë të Mitrovicës.
Sikur Gjykata, edhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka mbetur pa dhjetë prokurorë serbë.
Këshilli Prokurorial ka njoftuar se dorëheqje kanë ofruar edhe stafi administrativ i këtij komuniteti.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ka thënë se deri më tani janë dhënë 578 dorëheqje, prej të cilave 461 të rendit publik, 107 të policisë kufitare dhe 10 të hetimeve.
E të gjithë këto dorëheqje të “pafundme” kanë sjellë gjithashtu reagime të “pafundme” nga pozita, opozita dhe nga faktori ndërkombëtar, gjithashtu edhe reagimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Vazhda e reagimeve për situatën në veri të Kosovës
Reagimi i Pozitës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me situatën në veri, ka thënë se serbët në Kosovë janë të rrezikuar nga Beogradi.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se Serbia nuk është duke punuar për të mirën e serbëve në Kosovë.
“Serbët në Kosovë janë të rrezikuar nga Beograd, i i cili ua djeg veturat e shtëpitë, asnjë serb nuk beson se djegia ka ndodhur prej shqiptarëve”.
Sipas tij, Serbia nuk është e interesuar për integrim të serbëve në Kosovë dhe se synon ta minojë Kosovën demokratike.
“Serbia në vazhdimësi po tregon se nuk është e interesuar për integrim të serbëve në Kosovë dhe se synon ta minojë Kosovën tonë demokratike. Kosova do të angazhohet për drejtësi, ligj dhe kushtetutshmëri, nuk do të shantazhohet nga organizimet kriminale kushdo qofshin dhe nga kushdo që organizohen ato”, ka deklaruar Kurti.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në lidhje me situatën aktuale në veri të vendit, ka thënë se FSK-ja do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët e vendit.
Mehaj, ndër të tjera, i ka dënuar veprimet e Serbisë për destabilizim të vendit, gjersa ka shtuar se Kosova dhe institucionet e saj, janë në koordinim të plotë me policinë dhe KFOR-in.
“FSK është këtu është të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Dënojmë veprimet e Serbisë për destabilizimin e vendit tonë. Kosova dhe institucionet e saj janë në shërbim të çdo qytetari dhe veprimet tona janë në harmoni me policinë tonë dhe KFOR-in”, ka shkruar Mehaj në Twitter.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në lidhje me situatën aktuale në veri të vendit, ka thënë se Serbia ka shfrytëzuar pretekstin e targave, për të larguar vëmendjen nga plani franko-gjerman, për të cilin ka thënë se Serbia e ka refuzuar zyrtarisht.
“Situata e sigurisë në Kosovë është në kontroll, policia është e pranishme sipas ligjeve, edhe në kufi edhe në dogana, e mendoj që përpjekja e Vuçiqit e përkthyer politikisht ka filluar dje, është të mbulojë atë që ka qenë thelbësore dje, është që Republika e Serbisë, të cilën ne nuk e njohim, e ka refuzuar zyrtarisht planin franko-gjerman”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka thënë se thelbi i planit franko-gjerman është që Serbia të heqë dorë nga Kosova e të respektohet në mënyrë reciproke sovraniteti ndërmjet dy shteteve, të cilën sipas tij, Serbia po mundohet ta zhvendosë me situata të tjera sikurse situatën e fundit në veri.
“Targat janë preteksti, nuk janë për Serbinë aq esenciale politikisht në kuptimin shtetëror, më me rëndësi ka qenë mbajtja e referendumit dhe mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë”, ka vijuar ai.
Reagimi i opozitës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me situatën aktuale në veri të vendit, për të cilën PDK-ja ka ngritur shqetësimet e saj.
Sipas Krasniqit, dorëheqjet e fundit të Listës Serbe e të zyrtarëve policorë e punonjësve në sistemin e drejtësisë nga institucionet e Kosovës, përbëjnë akt të paprecedent dhe krijojnë një situatë problematike për Kosovën.
“Zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit janë shumë shqetësuese dhe cenojnë funksionimin, stabilitetin dhe sovranitetin e shtetit tonë. Në këtë situatë, ku epilogu është i paqartë e rreziku i përshkallëzimit është evident, komunikimi dhe harmonizimi i veprimeve të institucioneve dhe të gjithë akterëve politikë është i domosdoshëm”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, në lidhje me dorëheqjen e Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, ka thënë se tashmë do të jetë një situatë ku do të ketë “vakuum kushtetues”.
Këtë, ai e ka deklaruar pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
“Është shumë problem, KQZ duhet të trajtojë në listë njerëz të tjerë, do të kemi vakuum kushtetues, ajo që po shohim, cështja është ndërlikuar shumë”, gjersa ka shtuar se ndoshta zgjedhjet, do të ishin zgjidhje për vendin.
Ndërsa, për situatën aktuale në vend, ka thënë se është shumë shqetësuese që një vendim puro teknik për targat, të kthehet në problem të sigurisë në vend.
“Targat puro teknik të kthehet në problem të sigurisë në vend, në një situatë ku jemi mbrapa” ka thënë ai.
Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një konferencë për media ka thënë se “satelitet e Serbisë” kanë skenarë të dështimit të marrëveshjes së planit franko-gjerman dhe, sipas tij, në këtë skenar është kyçur dhe kryeministri Albin Kurti.
Reagimi i shumëpritur i Edi Ramës
Rama “neutral” mirëkupton edhe rezervat e Kosovës drejt Asociacionit, por edhe aleatët kur e kërkojnë me “forcë”
Edi Rama nëpërmjet një postimi në Twitter ka thënë se Kosova ka të drejtë që të ketë rezerva për Asociacionit dhe e mirëkupton këtë, por i mirëkupton edhe aleatët e Kosovës kur e kërkojnë këtë me “forcë”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova ka të drejtën e vet të ketë rezerva për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.
Ai shtoi se e mirëkupton këtë, por që i mirëkupton edhe aleatët e Kosovës kur kërkojnë këtë me “forcë”.
Autoritetet e Kosovës janë në të drejtën e tyre të kenë rezerva për Asociacionin e Komunave Serbe dhe unë e mirëkuptoj këtë! Por i mirëkuptoj edhe aleatët kur e kërkojnë këtë me “forcë””, ka shkruar Rama në Twitter.
Reagimi i ndërkombëtarëve
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se përgjigjet e Beogradit dhe Prishtinës ndaj propozimit gjermano-francez janë ende duke u studiuar, por prioritet aktual është shkallëzimi situatës në Kosovë.
Ai theksoi se Kosova ka një obligim të qartë për të formuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, gjithashtu ai paralajmëroi se ngjarjet në Kosovë mund të kenë pasoja për të gjithë rajonin.
“Është obligim i qartë i Kosovës që menjëherë të krijojë ose të ndërmarrë hapa për themelimin e një komuniteti të komunave serbe. Ky është një obligim ligjor i detyrueshëm i Kosovës dhe mospërmbushja e vazhdueshme, jo vetëm që cenon parimin e sundimit të ligjit, por dëmton edhe reputacionin dhe besueshmërinë e Kosovës”, tha Stano në konferencën për media.
Stano tha se ditët e fundit kanë parë një përshkallëzim që rrezikon atë që është arritur me shumë vite punë.
Ai u bëri thirrje të dyja palëve që të bëjnë përpjekje për të gjetur një zgjidhje evropiane, dhe theksoi se tani i takon Beogradit dhe Prishtinës që të përmbushin obligimet e tyre nga Marrëveshja e Brukselit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ai njoftoi se ka kërkuar nga të dy liderët që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim.
“Bisedova me Aleksandër Vuçiqin dhe Albin Kurtin për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. I kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim”, ka shkruar ai në Twitter.
Ai bëri të ditur se dialogu është e vetmja rrugë drejt zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve, kështu duke theksuar se NATO dhe KFOR mbeten vigjilentë për çkado që ndodh.
“Është thelbësore që të gjitha palët të vazhdojnë dialogun me njëra-tjetrën për hir të sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për RTV Dukagjinin.
Sipas përgjigjes së tyre, thuhet se komandanti i KFOR-it është në kontakt të ngushtë me të gjitha autoritetet.
Sa i përket sigurisë në Kosovë, ”KFOR-i mbetet vigjilent dhe nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e forcës së tij”.
A është aktiv ende misioni i KFOR-it në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999?
“Trupat e KFOR-it po monitorojnë situatën në terren dhe vazhdojnë të zbatojnë mandatin e tij në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Reagimi i Qeverisë serbe
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në lidhje me situatën e fundit në veri të Kosovës, ka deklaruar për televizionin serb “RTS” se “duhet të bien maskat dhe të shihet nëse ekziston apo jo marrëveshja e Brukselit”.
I pyetur nëse Perëndimi do të mund t’i bëjë presion Kosovës për këtë situatë, ai ka thënë se “nuk e di nëse mund t’i bëjnë presion Prishtinës, por askush në Serbi nuk beson se nuk munden”.
Sipas tij, po tregohet një dobësi nëse perëndimi nuk mund të merret me kryeminstrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Nëse ShBA-ja dhe BE-ja nuk mund të merren me Kurtin, kjo është pafuqi e tyre ose pëlqim i heshtur”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se është edhe “obligim i BE-së të formojnë Asociacionin”, jo vetëm obligim i Kurtit.
Pra, këto ishin disa nga ngjarjet që kanë karakterizuar ditën e hënë të 7 nëntorit me dorëheqjet dhe reagimet në vorbullën e krijuar të ngjarjeve nga situata në veri të Kosovës.