Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ende nuk e ka pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës. Por, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ZRrE-ja është e obliguar që t’i pezullojë tarifat e reja, ndryshe përbën vepër penale.
Menaxheri i programit në IKD, Yll Zekaj, derisa beson se ZRrE-ja do ta zbatojë vendimin e gjykatës, ka thënë se, kjo e fundit, nuk mund të inkasojë më tarifat e reja për kohën e ardhshme deri në një vendim meritor.
“Varet prej veprimeve të tyre, por çdo veprim në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, është edhe vepër penale. Kështu që nuk e besoj që ZRrE-ja do të hyjë në domenin penal, duke pasur parasysh që sfera penale kalon te personi juridik, përveç personave fizik që bien ndesh me ligjin, bien edhe personat juridikë, kështu që çdo mosrespektim i vendimit të gjykatës është vepër penale”, është shprehur ai për Kosovapress.
Ai ka theksuar se me këtë rast edhe ZrE-ja, e ka mjetin juridik që është ankesa për të ankimuar këtë masë, dhe pastaj është Gjykata e Apelit me një vendim meritor në lidhje me masën derisa të trajtohet padia dhe forma meritore e vendimmarrjes për vendimin e ZRrE-së se, i njëjti, ka qenë i ligjshëm apo jo.
Ndërkaq, drejtuesit e ZRrE-së, kanë potencuar se ankimi i bërë brenda afatit të përcaktuar me ligj pengon që aktgjykimi i gjykatës të bëhet i formës së prerë dhe nuk është i ekzekutueshëm.
“ZRrE-ja do të parashtrojë ankesë brenda afatit ligjor pranë Gjykatës së Apelit. Ankimi i bërë brenda afatit të përcaktuar me ligj pengon që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë në pjesën e goditur me ankim. Përderisa kjo çështje pas ankesës së ZRrE-së, do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit, aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm”, ka thënë drejtori menaxhues në ZRrE, Petrit Pepaj.
Ndërkaq, sipas Yll Zekajt, vendimi i ZRrE-së i miratuar më tetë shkurt nuk prodhon efekt juridik.
“Me vendimin të cilin e ka marrë ZRrE-ja për ngritjen e tarifave, me këtë vendim është parashtruar masa e përkohshme, e cila i ka paraprirë një padie eventuale. Me këtë rast gjyqtari ka marrë vendim për caktimin e masës. Masa është aprovuar dhe si rezultat i kësaj më nuk kemi efekt juridik të vendimit të ZRrE-së”, ka thënë ai.
Sipas Zekajt, masa e bllokon tarifimin e ri të ZRrE-së e cila obligohet me këtë masë që të kthehet në gjendjen para vendimit derisa gjykata nuk vendos në mënyrë meritore nëse vendimi i ZRrE-së ka qenë i ligjshëm apo i kundërligjshëm.
“Masa nuk e paragjykon vendimin, vendimi mund të jetë edhe i ligjshëm, por tanimë kemi një masë të përkohshme, i cili nuk e lenë në funksion vendimin deri në vendosjen meritore”, ka shtuar Zekaj.
Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës në mars kishte parashtruar padi kundër vendimit të ZRrE-së me të cilin janë aprovuar tarifat e reja të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.
“ZRrE, duke mos përfshirë në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike, katër komunat veriore, përveç diskriminimit mbi bazën e vendbanimit, ka kontribuuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në cenimin e parimit të sundimit të ligjit dhe shtrirjes së sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të shtetit”, kishte njoftuar PDK.
PDK ka fituar betejën e parë ligjore ndaj ZRrE-së, për ta parandaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët e Republikës së Kosovës, këtë e ka bërë të ditur përmes një konference për media.
Sipas PDK-së, nëpërmjet vendimit të saj, Gjykata ka konstatuar se ekzekutimi i vendimit të ZRrE-së do të shkaktojë dëm të pariparueshëm për qytetarët, dhe se ky dëm do të manifestohet në aspektin financiar, përkatësisht, në vështirësitë e qytetarëve që të përballojnë pagesën e faturave me tarifat e reja të energjisë elektrike.
Kjo parti ka iniciuar edhe një komision hetimor parlamentar për krizën energjetike, i cili tashmë do të ngritet pas sigurimit të 40 nënshkrimeve të nevojshme.
Tarifat e reja të energjisë elektrike kanë hyrë në fuqi më nëntë shkurt të këtij viti.