Të martën e tetë nëntorit, Gjykata Themelore e Prishtinës ka liruar nga akuza ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2.
Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Besim Beqaj, Nenad Rashiq dhe të dyshuarit Fllanza Hoxha e Arben Gjuka janë liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare për rastin “Afera e Hidrocentraleve”. Trupi gjykues ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të gjithë te akuzuarve.
Aktgjykimi për rastin “Afera e Hidrocentraleve” është bërë të martën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore nga kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, raporton Betimi për Drejtësi.
Në seancën e parafundit, Prokurori Special Atdhe Dema, ka kërkuar nga gjykata dënimin e të akuzuarve, ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve Beqaj dhe Hoxha, avokatët Besnik Berisha dhe Artan Qerkini, kishin thënë se prokurori nuk ka arritur të vërtetojë gjendjen faktike si në aktakuzë.
Ndërsa, në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka njoftuar se e ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, që kishte konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka.
Shqyrtimi kryesor në lidhje me këtë rast ka filluar më 1 korrik të vitit 2021, gjatë kësaj seance të akuzuarit kanë deklaruar se janë të pafajshëm për akuzat e PSRK-së.