Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në Kuvendin e Kosovës ku është thirrur seancë e jashtëzakonshme për të diskutuar për situatën e masave emergjente të furnizimit me energji elektrike edhe për 30 ditë, konsideron se gjendja më e jashtëzakonshme është në veri të vendit.
Sipas tij, masa emergjente duhet të merren për sigurinë në vend.
“Gjendja në energji po keqësohet dhe veprimet e qeverisë janë shumë simbolike. E shoh që si deputetë nuk jemi seriozë, nuk po e trajtojmë gjendjen e jashtëzakonshme në vend. Për ne si grup parlamentar gjendje e jashtëzakonshme dhe nevoja për masa urgjente është të merren për sigurinë në vend për situatën që është krijuar në veriun e Kosovës” , ka thënë ai.
Tahiri ka përmendur dorëheqjen e policëve serbë në veri dhe dorëheqjet e deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.
“Nuk po i vajtoj, po them kthjelluni se gjendja e jashtëzakonshme është atje”, shtoi Tahiri.
Në seancën e jashtëzakonshme për vazhdimin e masave emergjente, ka folur edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës po e keqpërdor pakufi çështjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike.
Sipas tij, nuk ka transparencë nga qeveria.
“Fatkeqësisht po keqpërdoret ky nen i këtij ligji, duke vazhduar në pakufi shpallja e masave emergjente. Gjashtë herë me radhë me shmangie procedurale, gjashtë herë asnjë raport nga ministria përkatëse. Por, ne po vazhdojmë fatkeqësisht me këtë telekomedi dhe po humbim shumë kohë. Për çdo muaj me të njëjtin raport dhe retorikë. Pse duhet gjithmonë të shpallim gjendje emergjente dhe të merremi me çështjen e peletit. Kemi mbetur te peleti, dhe s’po mund të lëvizim më. Peleti nuk i plotëson as 1-2 për qind të nevojave të konsumatorëve të vendit tonë”, ka thënë Shala.
Po ashtu, edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se grupi parlamentar i LDK-së është kundër masave emergjente në furnizimin e energjisë.
Ajo ka thënë se këto masa nuk po u shërbejnë asgjë qytetarëve.
“Cili është qëllimi i Qeverisë? Vetë keni deklaruar se situata me energjinë gjatë dimrit do të jetë e vështirë, a keni bërë kontratë për blerjen e rrymës si vendet e tjera të rajonit. Ne si grup parlamentar jemi kundër këtyre masave emergjente, sepse qytetarëve nuk po u lehtësohet jeta, por po u pamundësohet të jetojnë në Kosovë me këtë qeveri dhe këtë keqqeverisje”, ka thënë ajo.
Në Kuvendin e Kosovës është duke u shqyrtuar propozim-vendimi për zgjatjen e masave emergjente të furnizimit me energji elektrike edhe për 30 ditë.