Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të martën ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, shoqëruar nga Bedri Hamza; kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shoqëruar nga Lutfi Haziri, si dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shoqëruar nga Ardian Gjini, me të cilët ka diskutuar për situatën aktuale në vend.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në këtë takim Kurti ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, ligjshmërisë, kushtetutshmërisë, paqes dhe sigurisë, dhe se është në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim.
“Është theksuar aleanca me partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian e NATO-n, dhe komunikimi e bashkërendimi në shërbim të paqes, e në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Kurti i ka falënderuar liderët e partive opozitare që iu përgjigjën pozitivisht ftesës për takim dhe diskutim.
Krerët opozitarë kanë shprehur mbështetjen ndaj Qeverisë për respektimin e ligjshmërisë në të gjithë Kosovën.