Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, të martën e tetë nëntorit, pritet të takohet me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në Ankara.
Ky, një tentim që ta bindë Turqinë për t’i dhënë fund kundërshtimit për anëtarësimin e Suedisë në NATO.
Kristersson dhe Erdogan do të takohen në pallatin presidencial në orën 15:15 ku më pas do të mbajnë konferencë për media, shkruan REL.
Suedia dhe Finlanda kanë aplikuar për anëtarësim në aleancën ushtarake.
Por, Turqia e ka penguar ratifikimin e kërkesës së tyre, duke i akuzuar se po strehojnë militantë të jashtëligjshëm kurdë.
Në anën tjetër, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ishte në vizitë në Ankara javën e kaluar për të shtyrë përpara kërkesën e Suedisë dhe Finlandës, kishte thënë se anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO “do t’ia dërgonte Rusisë një mesazh të qartë”.
“Anëtarësimi i tyre do ta bëjë aleancën tonë më të fuqishme dhe popujt tanë më të sigurt”, ka thënë ai, duke shtuar se dy vendet kishin pranuar t’i bëjnë disa koncesione ndaj Turqisë qysh në qershor, përfshirë këtu kërkesën e Turqisë që “të dyshuarit për terrorizëm” të depërtohen ose ekstradohen.
Turqia, e cila synon të mbajë marrëdhënie të mira edhe me Ukrainën, edhe me Rusinë, nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Moskës.
Megjithatë, ka ende “mundësi të arsyeshme” që Turqia t’i ratifikojë kërkesat për anëtarësim në NATO para zgjedhjeve të vitit 2023.