Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar kërkesën nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për të rekomanduar emrat e personave në radhë për të plotësuar vendet e lira nga dorëheqja prej pozite e deputetëve të Listës Serbe.
Kështu ka konfirmuar në një prononcim për RTV Dukagjinin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga Presidentja e Republikës së Kosovës për të rekomanduar emrat e personave të ligjshëm të radhës për të plotësuar vendet e lira në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Elezil, për RTV Dukagjinin.
Elelzi ka thënë se KQZ-ja do të përgatisë rekomandimin brenda afatit prej 5 ditëve, ashtu siç e parasheh edhe ligji.
“Ky vendim vjen duke u mbështetur në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej 5 ditësh pune nga momenti i marrjes së kërkesës”, ka deklaruar ai.
Dhjetë deputetët e Listës Serbe (LS) dje zyrtarisht i kanë dorëzuar dorëheqjet në Kuvendin e Kosovës.
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka njoftuar se referuar deklaratës së kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, kanë publikuar shkresat e dorëheqjeve të deputetëve të Listës Serbe.
Të hënën e 7 nëntorit, Lista Serbe i ka dorëzuar mandatet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar për Portali Dukagjini, Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca.
Dorëzim i mandatave vjen dy ditë pas bojkotimit të institucioneve nga Lista Serbe.
Më 5 nëntor, Lista Serbe vendosi që t’i largojë të gjithë serbët nga institucionet qendrore dhe ato lokale.
Kreu i kësaj partie, Goran Rakiq, pasi shpalli dorëheqjen nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim, tha se largimi nga institucionet vjen pas vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një konferencë për media të hënën, në lidhje me dorëzimin e mandateve nga Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës ka thënë se Kosova nuk është në krizë kushtetuese, pasi në aspektin procedural dhe ligjor është njëjtë sikurse dorëheqja e një deputeti të Kosovës.