Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, është pritur në takim nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Zyra e Presidencës ka njoftuar se pjesë e diskutimeve ishin zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe bashkëpunimi i institucioneve shtetërore me ato ndërkombëtare.
“Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Republikës për zbatimin e rendit dhe ligjit, si dhe për sigurimin e mbarëvajtjes dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.
Presidentja Osmani ka vlerësuar koordinimin e vazhdueshëm me EULEX-in.
Përfaqësuesit e Listës Serbe, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, të shtunën e 5 nëntorit.
Pas takimit të mbajtur në Zveçan, ishte momenti pas deklaratës së një zyrtari policor serb, atëherë kur një pjesë tjetër e policëve serbë zhveshën uniformat e Policisë së Kosovës për të treguar në mënyrë simbolike se bojkotimi tashmë po ndodhte.
Përveç zyrtarëve policorë, punonjësve të gjykatave dhe institucioneve të tjera, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e komunave veriore dhe Goran Rakiq, nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Veprime të tilla, janë konsideruar si veprime të drejtuara nga Beogradi me qëllim të destabilizimit të sigurisë në vend nga ana e të parës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo ka deklaruar, përmes një postimi në Facebook, se autoritetet e Kosovës do të marrin hapa për të garantuar sigurinë publike dhe se kjo, do të ndodhë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
“Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe Policia e Kosovës është akt kundër demokracisë, sundimit të rendit e ligjit. Një veprim i tillë është bërë me presionin e pushtetit në Beograd. Qasja e tillë po u shkakton probleme serioze qytetarëve serbë në veri, të cilët po ndihen të rrezikuar nga veprimi i strukturave ilegale, të cilat synojnë destabilizimin”.
Krahas kësaj, ajo u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të mos bien pre e propagandës nga Serbia, për interesat e saj destablizuese ndaj Kosovës dhe rajonit.