Rasti “Syri i Popullit”, prokuroria ka kërkuar dënimin e të akuzuarve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën e 8 nëntorit, prokurori special, Burim Çerkini, ka kërkuar dënimin e dy të akuzuarve Sadri Ramabaja dhe Avni Llumnica . Llumnica akuzohet për tentim vrasje të Azem Vllasit, ndërsa Ramabaja akuzohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale “Vrasje në tentativë”

Prokuroria Themelore në Prishtinë





Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën, prokurori special, Burim Çerkini, ka kërkuar dënimin e dy të akuzuarve Sadri Ramabaja dhe Avni Llumnica, gjersa mbrojtja ka kërkuar lirimin e tyre.

Llumnica, siç raporton Betimi për Drejtësi, akuzohet për tentim vrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me të ndjerin M.J.

Ndërsa, Ramabaja akuzohet se ka ndihmuar të akuzuarit në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë.

Prokurori Çerkini, në fjalën e tij përfundimtare, të cilën e ka dorëzuar në gjykatë, ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë akuzës dhe provave që e mbështesin këtë aktakuzë.

Sipas tij, gjendja është vërtetuar nga dëshmia e tani të dëmtuarit, dëshmitarëve dhe provave materiale.

Prokurori, njashtu, ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe t’iu shqiptohet dënimi siç parashihet me ligj.

Ndërkaq, përfaqësuesi i palës së dëmtuar Azem Vllasi, avokati Nazuf Hasani, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se pa mëdyshje, ekziston përgjegjësia penale e të pandehurve.

“Janë vërtetuar me prova të pakontestueshme se për motive të ulëta dhe duke qenë se pala e dëmtuar Azem Vllasi ishte i pambrojtur qëllimi i tyre ka qenë që ta privojnë nga jeta”, tha Hasani.

Ndërsa, i dëmtuari Azem Vllasi e ka përkrahur në tërësi fjalën përfundimtare të prokurorit dhe të përfaqësuesit të tij, duke shtuar se në këtë çështje nuk ka asnjë rrethanë lehtësuese.

“Unë kam plot besim në vendimin e juaj. Organizata terroriste ‘Syri i Popullit’ është formuar dhe ka ekzistuar”, ka thënë Vllasi.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Llumnica, avokati Naim Rudari, ka thënë se procesi gjyqësor do të duhej të përmblidhte prova konkrete dhe të pakontestueshme që argumentojnë kryerjen e veprës penale, por që sot asnjë nga këto, sipas tij, nuk u përmenden.

Ndërsa, i akuzuari Llumnica e ka mbështetur në tërësi fjalën e mbrojtësi të tij, duke shtuar se qëndron pranë deklaratave të tij të dhëna në procedurat e deri tanishme.

“Unë ju garantoj që jam totalisht i pafajshëm për këtë proces për çka jam akuzuar, kam besim të plotë se trupi gjykues do të sjellë një vendim të drejtë. Ju e dëgjuat vetë Azemin kur tha se asgjë si kam bërë Avni Llumnicës, andaj unë çfarë arsye kam pasur të kem problem me një njëri që asniherë s’kam pasur kontakt e se kam ditur as ku jeton as çka bën”, ka thënë i akuzuari Llumnica.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Sadri Ramabaja, avokati Ramiz Krasniqi, ka shtuar se pas administrimit të provave, ka pritur që Prokuroria të heqë dorë nga aktakuza e ushtruar ndaj të mbrojturit të tij.

Ai ka thënë se në këtë rast prokurori special nuk është krejtësisht i pavarur dhe se në këtë organ vlen parimi i majorizimit, që sipas tij, do të thotë se eprori vendos se a duhet hetuar ndonjë individ apo jo, a duhet hequr dorë nga ndonjë akuzë apo jo.

“Pra dilema e mbrojtjes është kjo: Kush është shefi real i Prokurorisë Speciale? Apo, të shprehem ndryshe, kush e kontrollon Prokurorinë Speciale të Republikës”, ka thënë Krasniqi.

Në fund, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli ka konstatuar dhe vlerësuar se çështja është zbardhur mjaftueshëm, ashtu që sipas tij, nuk ka nevojë të administrohen prova të reja.

Ndryshe, ky rast kishte marrë epilog në janar të vitit 2020, kur Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit, por pas ankesave të ushtruara, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në pikën zero.

Duke vepruar konform rekomandimeve të Apelit, PSRK kishte ngritur aktakuzë të re në këtë rast.

Sipas aktakuzës së 27 tetorit 2020, Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha, janë tashmë të vetmit të akuzuar në këtë rast.

Kjo pasi PSRK hoqi dorë nga vepra penale kundër rendit kushtetues respektivisht nga dyshimi për ekzistimin e një grupi kriminal “Syri i Popullit”.

Me aktakuzën e re, Llumnica akuzohet se në bashkëkryerje me tani të ndjerin M. J. kishin tentuar të privojnë nga jeta, Azem Vllasin.

Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar Llumnicën dhe M.J të kryejnë atentat ndaj të dëmtuarit Azem Vllasi, ndërkaq Bajrush Konjusha akuzohej për veprën penale të armëmbajtjes.

Lidhur me akuzën ndaj të ndjerit M.J, sipas vendimit të Apelit, meqenëse ai kishte probleme shëndetësore, rasti i tij ishte deleguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e cila kishte ushtruar propozim për caktimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018 kishte ngritur aktakuzën e parë për këtë rast.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika