Dy armë i janë konfiskuar të dyshuarit kosovar gjersa ai ishte ndaluar nga Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor të Vitisë, i cili ishte në patrullim në fshatin Debelldeh.
Policia e Kosovës, përkatësisht, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, ka bërë të ditur se i dyshuari mbante në dorë një pushkë ajrore të kalibrit 4.5 mm.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor Viti derisa ka qenë në patrullim në fshatin Debelldeh, ka ndalur të dyshuarin kosovar shqiptar D.Xh. (2001) i cili në dorë mbante një (1) pushkë ajrore të kalibrit 4.5 mm prodhim Turk. Gjatë kontrollit në çantën e tij, Zyrtarët Policorë po kanë gjetur edhe një (1) revole të kalibrit 9 mm dhe nëntë (9) fishekë te kalibrit 9 mm”, thuhet në komunikatë.
Krahas kësaj, bëhet e ditur se të dyja armët janë konfiskuar si dëshmi për Gjykatën gjersa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në Stacionin Policor të Vitisë, me ç’rast është intervistuar në bazë të procedurave ligjore.
Sipas urdhërit të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është ngritur kallëzim penal për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve’’.