Armend Zemaj, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se Qeveria Kurti është munduar ta krijojë narracionin e partive opozitare sikurse një krah i politikave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
I ftuar në “Debat Plus”, Zemaj ka thënë se një gjë të tillë, LVV e ka bërë përmes mekanizmave të propagandës.
“Po shihet nga takimi i sotëm, se LVV përmes mekanizmave të propagandës është munduar që skajshmërisht, ose paturpësisht që opozitën pa përjashtim, ta bëjë krah gjoja të politikave të Vuçiqit, është skandal”, ka deklaruar ai.
Sipas Zemajt, është dashur që në bashkëpunim me SHBA-të, BE-në, Kuvendin dhe partitë opozitare, të arriheshin rezultate.
Krahas kësaj, sipas tij, Kurti do të duhej deklarohej disa herë deri tani në foltoren e Kuvendit ,lidhur me takimet me presidentin serb, Vuçiq. Ndërkaq, refuzimi i kërkesës nga Kurti, lidhur me shtyrjen e afatit të targave, sipas Zemaj, ka krijuar një imazh refuzues të Kosovës dhe një gjë e tillë, sipas tij, vije nga mospërgjegjësia.
“Kjo politikë e keqe, kjo politikë pa vizion, pa konsultim, ka bërë që Kosova të duket që është refuzuese akoma pa u debatua, akoma pa u parë dokumenti”, ka deklaruar Zemaj gjersa ka theksuar se kjo vjen si pasojë e papërgjegjësisë që vije nga udhëheqësit e Kosovës.