Armend Zemaj, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se politika e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është zhvleftësimi i 17 shkurtit, dita kur u shpall pavarësia e Republikës së Kosovës.
I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, aty ku emisioni i sotëm mblodhi përfaqësues nga partitë opozitare dhe një nga ajo në pushtet, Zemaj ka thënë se një veprim i tillë është puro politik.
“Krijimi i një situate të re kur nuk e dimë asnjëri, as këtu as jashtë, ai mund ta dijë në mendjen dhe kokën e vet sesi do ta dërgojë Kosovën, qoftë në një gjendje normale krejt tjetër, ashtu siç ai po e koncepton që mund të jetë tepër e fuqishme, që në rrethana historike ndodh një herë në një mijë vjet, dhe në një shkatërrim total të gjitha të arritura, sidomos pas lirisë së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Zemaj.
Gjersa ka theksuar se në vitin 1999, Kosova arriti pavarësinë e saj në saje të aleatëve ndërkombëtarë, sipas Zemaj, shqiptarët me mbështetjen e miqve kanë arritur pjekurinë politike.
Krahas kësaj, ai ka theksuar se është në interesin e Qeverisë Kurti që të mirret me çështjet teknike të dialogut Kosovë-Serbi.