Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se Serbia është duke përdorur çështjen targave si justifikim, pasi sipas Delawie, refuzimi i autoriteteve serbe për të njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës edhe pas 25 vjetësh pas luftës është thelbi i tensionit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mosmarrëveshja në të vërtetë nuk ka të bëjë me targat, por me refuzimin e qeverisë serbe për të njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, rreth 25 vjet pas luftës së suksesshme të Kosovës për pavarësi.
Më tej, ish i pari i Diplomacisë amerikane në Kosovë për bojkotimin e institucioneve nga ana e serbëve lokalë të Kosovës, ka thënë se “do të ishte në interesin e serbëve të Kosovës që zyrtarët e tyre të vazhdonin të merrnin pjesë në institucionet qeveritare të Kosovës”.
“Zyrtarët e minoritetit serb janë nën trysninë e Qeverisë së Serbisë, e cila kontrollon pjesëmarrjen ose mungesën e tyre në institucionet e Kosovës, për të nxitur reagimin negativ të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas tij, tensionimi i situatës e pengon një arritjen e marrëveshjes, por është në përgjegjësi të “dy qeverive të Serbisë dhe Kosovës që të punojnë drejt uljes dhe jo rritjes së tensioneve”.
“Popujt e Ballkanit Perëndimor në Kosovë dhe Serbi meritojnë një të ardhme evropiane. Ata mund të kenë një të tillë, vetëm nëse udhëheqja e të dyja vendeve vendos paqen dhe zhvillimin politik dhe ekonomik si qëllim të tyre”, ka theksuar ai.
Edhe pse është i painformuar për planin franko-gjerman, Delawie ka thënë se beson ne kapacitetin e këtij plani për të zgjedhur çështjen në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Jo, nuk kam njohuri. Megjithatë, kam besim si në aftësinë ashtu edhe në motivimin e qeverive franceze dhe gjermane për të hartuar një iniciativë të re për të zgjidhur një nga pengesat më të rëndësishme që qëndron në rrugën e paqes së vërtetë në Evropën Juglindore”, është deklaruar për Zërin e Amerikës Greg Delawie.
Delawie ka thënë se iniciativa për shtyrjen e vendimit për targat e paligjshme “KM” për dhjetë muaj “do të kishte më shumë kuptim nëse do të ishte pjesë e një marrëveshjeje që të dyja palët të binin dakord ta zbatonin”.