“Përfitimet materiale” arsyeja kryesore për mosmiratimin e ligjit për çmimin e barnave

Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se është finalizuar projektligji për rregullimin e çmimit të barnave dhe produkteve medicinale por që pritet aprovimi parprak. Për këtë çështje PDK-ja ka akuzuar MSH-në se vetëm justfikohen me fjalën “finalizim”, e që kjo sipas tyre konsiderohet si zhvatje e pacientëve dhe e buxhetit të Kosovës

Foto ilsutrim

Qeveria e Kosovës kishte deklaruar se në vjeshtë të këtij viti do të finalizojë zbatimin e ligjit për rregullimin e çmimit të barnave, por qytetarët janë duke hyrë në dimër dhe akoma vazhdojnë të blejnë barna me çmimet më të shtrenjta në rajon.

Ministria e Shëndetësisë për Portalin Dukagjini, ka treguar se ligji për rregullimin e çmimit të barnave dhe të produkteve medicinale është finalizuar nga zyrtarët përgjegjës, dhe është dërguar në Kabinetin e Ministrit për aprovim paraprak.

Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e kishte dorëzuar qysh në muajin mars të vitit 2022, Projektligjin për Rregullimin e Çmimit të Barnave.

Deputeti i PDK-së, njëherësh edhe anëtar i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Bekim Haxhiu, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka përkrahur projektligjin e tyre me arsyetimin se dëshironte ta sjellë Qeveria një projektligj të tillë.

Po ashtu, ai ka thënë se Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, zakonisht justfikohen se janë në finalizim të projektit, por që sipas tij çdo ditë e humbur në mosmiratimin e këtij Projektligji konsiderohet si zhvatje e pacientëve dhe zhvatje e buxhetit të Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu

MSH-ja ka bërë të ditur se projektligji për rregullimin e çmimit të barnave dhe produkteve medicinale do të rregullojë çmimet, dhe se sipas tyre do të parandalojë abuzimet.

“Gjithashtu na lejoni që të ju njoftojmë se qytetarët e Kosovës nuk paguajnë për barnat të cilat janë pjesë e Listës Esenciale të Barnave”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë e Shëndetësisë.

Nga ana tjetër, Oda e Farmacistëve të Kosovës që nga fillimi i këtij viti ka kërkuar që të miratohet më shpejt ky ligj me qëllim të rregullimit të tregut farmaceutik.

Dardane Mehaj, farmaciste komunitare e cila ka qenë edhe nënkryetare e Odës së Farmacistëve të Kosovës, ka thënë se Qeveria e tanishme vetëm kishte urdhëruar që të bëhet ligj, por sipas saj ka dy vjet që nuk është paraqitur për miratim në Kuvend.

Dardane Mehaj

Ajo ka deklaruar se mosfinalizimi i këtij ligji është bërë vetëm për interesa dhe përfitime personale.

“Qeveria Kurti kishte dhënë urdhrin që të bëhet ligj, i cili tashmë e dy vjet nuk po vjen në Kuvend. Fatkeqësisht është zhgënjyese. Personalisht mendoj që nuk ka interes e as vullnet politik, pasi janë interesa personale dhe të mëdha në mes”, ka deklaruar ajo.

“Mund ta llogaritni vetë se për çfarë interesash bëhet fjalë. Normal që për përfitime materiale. I vetmi ministër që është marrë seriozisht me ne si farmacistë ka qenë ministri Uran Ismaili”, ka thënë tutje ajo.

Kujtojmë se më herët kishte qenë Udhëzimi Adiministrativ për çmimet, i cili ka hyrë në fuqi në maj të vitit 2019 dhe është shfuqizuar nga ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Pastaj, pas reagimit nga Oda e Farmacistëve të Kosovës, (OFK) është rikthyer prapë, por sipas Mehajt pa hyrë kurrë në zbatim.

“Ne jemi i vetmi vend në Ballkan që kemi çmimet më të lartat në krahasim me rajonin”, është shprehur ajo.

Sipas saj, është e dhimbshme që Qeveria nuk merret me farmacistët, duke thënë se janë në pyetje milionat[euro]. Ndërkaq, nga statistikat e vitit 2019 shuma është 10 milionë euro për barna që qytetarët tanë paguajnë me shtrenjtë.

Kjo, sepse, një produkt i së njëjtës kompani në shtetet fqinje shitet 80 centë, kurse në Kosovë mbi 3 euro, ka thënë Mehaj.

Ndërsa, sipas Mehajt, nëse do të kishte pasur çmime unike në çdo barnatore në Kosovë, më së shumti do të përfitonin qytetarët.

“Tash e sa vite nuk kemi çmime unike ( rregullim të çmimeve) punësime në institucione shtetërore si Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF), spitale e klinika. Në Agjencinë e Kosovës për Produkte Medicinale kanë mungesë të madhe të punëtorëve, e në Kosovë janë 1 mijë e 300 farmacistë”, ka deklaruar ajo.

Foto ilustrim

Problem tjetër për Mehajn janë edhe siptalet që funksionojnë pa farmacista, dhe se pika per t’u kthyer dinjiteti i farmacistit në barnatore është rregullimi i çmimeve (unifikimi), pastaj rregullimi i bazës ligjore të pronësisë së barnatoreve.

Me ligjin për shëndetësi praktikisht neni 26 i atij ligji thotë, “Barnat duhet dhënë vetëm nga farmacisti ose në prani të tij”. E në spitale tona nuk ka farmacist askund.

Gjithashtu, deputeti i PDK-së, Haxhiu në lidhje me ligjin e mosfinalizuar ka deklaruar se është pika thelbësore dhe më e rëndësishjma për shëndetësinë.

Ai ka shtuar se kur e kanë vendet e BE-së, edhe në Kosovë kërkohet që të ketë një rregullim të çmimeve të barnave.

Kuvendi i Kosovës më 29 korrik të vitit 2022 nuk e miratoi Projektligjin për Rregullimin e Çmimit të Barnave dhe Produkteve Medicinale.

Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje e arsyetuan mosmiratimin e këtij projektligji në lexim të parë për shkak se i njëjti ligj është duke u hartuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Rregullimi i çmimit të barnave bëhet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Bashkimin Evropian, ku Kosova synon të anëtarësohet. Aktualisht, vetëm Kosova dhe Bjellorusia në kontinentin evropian nuk kanë legjislacion për qëllim të tillë.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika