Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia po përgatiten që të takohen për të diskutuar rifillimin e inspektimeve të objekteve të armëve bërthamore.
Kjo, brenda kuadrit të Traktatit të ri të Armëve Sulmuese Strategjike, i cili është i vetmi që rregullon dy arsenalet më të mëdha bërthamore në botë.
Kështu ka njoftuar zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, i cili nuk ka njoftuar për datën e takimit, shkruan CNN.
Këto inspektime u ndërprenë në mars 2020 për shkak të pandemisë COVID-19.
Një rifillim i inspektimeve pritet të jetë temë diskutimi në takimet e ardhshme, kanë thënë zyrtarët amerikanë.
Rusia ka shprehur gatishmërinë për të diskutuar zgjatjen e traktatit dhe SHBA ka thënë se negociatat do të ndodhin vetëm pasi të rifillojnë inspektimet në terren.
Komplikimet u ngritën në fillim të këtij viti pasi SHBA u përpoq të rifillonte inspektimet, por Rusia i kundërshtoi përpjekjet, duke përmendur përpjekjet e supozuara të SHBA-së për t’i “privuar Federatës Ruse të drejtën për të kryer inspektime në territorin amerikan”.
Price kishte thënë në atë kohë se “sanksionet e SHBA dhe masat kufizuese të vendosura si rezultat i luftës së Rusisë kundër Ukrainës janë plotësisht në përputhje” me traktatin e ri.
Takimet e traktatit zhvillohen nën titullin e komisionit konsultativ dypalësh, BCC.
“Ne kemi rënë dakord që BCC do të takohet në të ardhmen e afërt sipas kushteve të traktatit të ri START. Puna e BCC është konfidenciale, por ne shpresojmë për një seancë konstruktive”, ka thënë Price.
Traktati i kufizon të dy vendet në vendosjen e një mijë e 550 kokave bërthamore në sistemet e shpërndarjes, duke përfshirë raketat balistike ndërkontinentale, raketat balistike të lëshuara nga nëndetëse dhe bombarduesit.