Ministria e Punëve të Jashtme në Poloni ka njoftuar se Polonia për herë të parë ka hapur konsullatë në Kosovë.
Në një komunikatë për media nga ky dikaster është thënë se marrëveshja e arritur do t’u mundësojë qytetarëve polakë të kenë një nivel optimal të mbrojtjes konsullore në territorin e Kosovës.
“Ministria e Punëve të Jashtme njofton se më tetë nëntor 2022, Qeveria e Republikës së Polonisë ka lidhur marrëveshje me Qeverinë e Republikës së Kosovës në formë të shkëmbimit të notave për vendosjen e marrëdhënieve konsullore”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, thuhet se Qeveria e Polonisë dhe ajo e Kosovës kanë lidhur marrëveshje në formë të shkëmbimit të notave për vendosjen e marrëdhënieve konsullore.
“Marrëveshja zbaton Rezolutën nr. 184/2022 të Këshillit të Ministrave të datës pesë shtator 2022 për vendosjen e marrëdhënieve konsullore ndërmjet Republikës së Polonisë dhe Republikës së Kosovës”, vijon njoftimi.
“Duke e njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës me rezolutën e Këshillit të Ministrave të datës 26 shkurt 2008, Republika e Polonisë është përmbajtur nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe konsullore në të njëjtën kohë”.
Siç thuhet në njoftimin e ministrisë, Polonia vazhdon t’i mbështesë të gjitha integrimet evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të japë kontributin e saj në sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
“Përfshirë përmes kontingjentit ushtarak polak si pjesë e KFOR-it dhe misionit policor të EULEX-it në Kosovë, në të cilin kemi qenë kontribuuesi më i madh për shumë vite”, thuhet në njoftim.