Bashkimi Evropian (BE) i ka dhënë ultimatum kamionëve nga Rusia dhe Bjellorusia të cilët gjenden brenda territorit, që të lëshojnë vendin para se të vihen sanksionet e reja. Si rezultat i kësaj gjendjeje, është krijuar një kolonë e gjatë kamionësh në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusi.
Sipas mediave, brenda BE-së, kolona ka arritur deri në 80 km, ndërsa koha e pritjes në kufi thuhet se është deri në 33 orë.
Nga sanksionet e reja thuhet se do të shpëtojnë vetëm kamionët që transportojnë ilaçe, postë ose produkte nafte, madje thuhet se për ta lejohet edhe hyrja edhe dalja nga BE.
Sanksionet e BE-së janë pjesë e luftës ekonomike të vendeve kundër agresionit rus në Ukrainë.
Nga afati i caktuar për largim, ka frikë te shoferët e kamionëve se nuk do të arrijnë të dalin nga BE para afatit të caktuar.
Ende mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me mijëra kamionë që nuk do të arrijnë ta kalojnë kufirin, ndërsa, një ndër mundësit, thuhet se mund të jetë sekuestrimi i kamionëve nga autoritetet e BE-së.
Sipas një zyrtari polak, kjo mund të çojë në reciprocitet, dhe një veprim i tillë do të rrezikonte që të ndërmerreshin masa të ngjashme kundër kamionëve polakë dhe vendeve të tjera të BE-së që përdorin territorin e Rusisë dhe Bjellorusisë gjatë kthimit për në shtëpi.
Përveç Rusisë, është sanksionuar dhe aleati kryesor i saj Bjellorusia.