Pas vendosjes së marrëdhënieve konsullore midis Kosovës dhe Polonisë, ka reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo në një postim në llogarinë e saj në Twitter, ka thënë se Kosova dhe Polonia tashmë kanë hyrë në një kapitull të ri të bashkëpunimit.
“Me vendosjen e marrëdhënieve konsullore, Kosova dhe Polonia tashmë kanë hyrë në një kapitull të ri të bashkëpunimit. Ne e mirëpresim ngrohtësisht këtë vendim, i cili është një dëshmi e forcës së partneritetit tonë dhe e vizionit tonë të përbashkët për paqen dhe sigurinë evropiane”, ka shkruar Osmani.
With the establishment of consular relations, Kosovo and Poland have now entered a new chapter of cooperation.
We warmly welcome this decision, which is a testament of the strength of our partnership and of our shared vision for European peace and security. 🇽🇰🇵🇱
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) November 9, 2022
Ndryshe, ministria e Punëve të Jashtme në Poloni ka njoftuar se Polonia për herë të parë ka hapur konsullatë në Kosovë.
Në një komunikatë për media nga ky dikaster është thënë se marrëveshja e arritur do t’u mundësojë qytetarëve polakë të kenë një nivel optimal të mbrojtjes konsullore në territorin e Kosovës.
“Ministria e Punëve të Jashtme njofton se më tetë nëntor 2022, Qeveria e Republikës së Polonisë ka lidhur marrëveshje me Qeverinë e Republikës së Kosovës në formë të shkëmbimit të notave për vendosjen e marrëdhënieve konsullore”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, thuhet se Qeveria e Polonisë dhe ajo e Kosovës kanë lidhur marrëveshje në formë të shkëmbimit të notave për vendosjen e marrëdhënieve konsullore.
“Marrëveshja zbaton Rezolutën nr. 184/2022 të Këshillit të Ministrave të datës pesë shtator 2022 për vendosjen e marrëdhënieve konsullore ndërmjet Republikës së Polonisë dhe Republikës së Kosovës”, vijon njoftimi.
“Duke e njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës me rezolutën e Këshillit të Ministrave të datës 26 shkurt 2008, Republika e Polonisë është përmbajtur nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe konsullore në të njëjtën kohë”.
Siç thuhet në njoftimin e ministrisë, Polonia vazhdon t’i mbështesë të gjitha integrimet evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të japë kontributin e saj në sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
“Përfshirë përmes kontingjentit ushtarak polak si pjesë e KFOR-it dhe misionit policor të EULEX-it në Kosovë, në të cilin kemi qenë kontribuuesi më i madh për shumë vite”, thuhet në njoftim.