Ushtria ruse është urdhëruar të tërhiqet nga qyteti ukrainas, Kherson. Komandanti rus në Ukrainë, gjenerali Sergei Surovikin, ka thënë se nuk ishte më e mundur të ruheshin furnizimet për qytetin.
“Në këto rrethana, opsioni më i arsyeshëm është organizimi i mbrojtjes përgjatë një linje barriere përgjatë lumit Dnipro,” ka thënë gjenerali Surovikin, në një takim të udhëheqësve të lartë ushtarakë, raporton BBC.
Njoftimi erdhi menjëherë pasi mediat ruse thanë se nënkryetari i Khersonit, Kirill Stremousov, ishte vrarë në një aksident automobilistik. I parë si një nga nxitësit kryesorë të okupimit të Khersonit, kishte paralajmëruar vetëm gjashtë ditë më parë se kishte “më shumë gjasa” që forcat ruse të kalonin në bregun lindor.
Tërheqja do të thotë se forcat ruse do të tërhiqen tërësisht nga rajoni në bregun perëndimor të lumit Dnipro. Forcat ruse kapën Kherson, kryeqytetin e rajonit jugor të Ukrainës, në fillim të luftës.
Njoftimi shënoi një nga tërheqjet më të rëndësishme të Rusisë dhe një pikë kthese të mundshme në luftë, tani afër fundit të muajit të saj të nëntë.
Pse është kaq i rëndësishëm kontrolli i Khersonit?
Të dyja palët e shohin qytetin, në jug të vendit, si të rëndësishëm për t’u kontrolluar. Megjithatë, ekspertët ushtarakë thonë se një betejë për të mund të jetë shumë e kushtueshme.
Para luftës, Kherson kishte një popullsi prej rreth 380 mijë.
Kherson është në brigjet e lumit Dnipro, afër bregut të Detit të Zi. Është gjithashtu afër gadishullit të Krimesë – një pjesë e Ukrainës që Rusia e aneksoi në 2014 dhe që përmban një numër të bazave të saj ushtarake.
Po ashtu, Kherson është i vetmi nga kryeqytetet rajonale të Ukrainës që ka rënë në duart e forcave ruse.
Rusia e mori atë në fillim të marsit dhe së fundi deklaroi se kishte aneksuar rajonin Kherson, së bashku me tre rajone të tjera në Ukrainë.
Megjithatë, forcat ruse janë gjithashtu nën presion të madh për të mbrojtur Kherson. Ata humbën 6 mijë kilometra katrorë territor nga forcat ukrainase gjatë kundërofensive të tyre në lindje të vendit.
Rusia thotë se ka evakuuar 70 mijë civilë nga qyteti dhe ka shenja se po evakuon edhe zyrtarët.
Zëvendës administratori civil i instaluar nga Rusia në rajonin Kherson, Kirill Stremousov, ka thënë se forcat ruse mund të tërhiqen nga pjesë të Khersonit në anën perëndimore të Dnipro.