Zëvendësguvernatori i Khersonit, Kirill Stremousov, i emëruar nga Rusia në Kherson, ka vdekur në një aksident automobilistik, kanë thënë zyrtarët lokalë.
Stremousov, 45 vjeç, ishte emëruar në detyrën e tij, dy muaj pas pushtimit rus të Ukrainës.
Ndërsa, guvernatori i Khersonit, Vladimir Saldo, po ashtu i emëruar nga Rusia, ka thënë se zëvendësi i tij ishte vrarë, por zyrtarët ukrainas kanë shprehur skepticizëm në lidhje me raportet, të cilat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Saldo ka shtuar se zyrtari i vdekur kishte lënë pas pesë fëmijë dhe ishte në pritje të fëmijës së gjashtë.
Kherson, e vetmja qendër rajonale ukrainase e kapur nga trupat ruse pas pushtimit të shkurtit, shtrihet në bregun perëndimor të lumit Dnipro dhe është vënë në shënjestër nga një kundërofensivë ukrainase.
Stremousov ishte i njohur në mediat sociale për përditësimet e tij të rregullta mbi kushtet në vijën e frontit, raporton BBC.
Në javët e fundit, ai iu kishte kërkuar civilëve të kalonin lumin përballë avancimit ukrainas, duke thënë se “ka shumë gjasa” që forcat ruse të largoheshin tërësisht nga bregu perëndimor.