Deputetët opozitarë kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj Qeverisë së Kosovës që të vazhdojë me funksionimin e punës së institucioneve në pjesën veriore të Kosovës.
Ata kanë kërkuar koordinim me aleatët dhe partnerët ndërkombëtar të Kosovës në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se kjo parti opozitare do ta mbështesë Qeverinë e Kosovës deri në momentin ku nuk do të hiqet dorë nga pjesa veriore e vendit.
“Do t’iu mbështesim deri në atë moment ku ju nuk do të heqni dorë nga ajo pjesë e Kosovës të cilën me mund, sakrificë, dialog, e angazhimin tonë e kemi kthyer nën menaxhimin dhe udhëheqjen e institucioneve të Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Ai ka kërkuar nga krerët e Qeverisë vigjilencë, angazhim dhe përkushtim që të vazhdojë puna e policisë së Kosovës në veri, e prokurorit të shtetit dhe e gjyqtarëve në Veri.
“Koordinimi me SHBA-të është një nga proceset që i ka dhënë më së shumti fryte dhe fuqizim shtetit të Kosovës. Nuk na duhet konfrontim me SHBA-të”, shtoi ai.
Në anën tjetër, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ani pse fjalën e tij hyrëse e nisi me pak zhurmë midis tij dhe ministres së Drejtësisë, Albulena haxhiu, ai sërish tha se LDK qëndron fuqishëm në përkrahje të institucioneve të vendit.
“Sot këtu i deklarojmë kryeministrit dhe qytetarëve se ne qëndrojmë fuqishëm në përkrahje të institucioneve dhe zbatimit të ligjit dhe në ruajtjen e raporteve dhe partneritetit me ndërkombëtarët”.
Sipas tij, vendi po kalon në një fazë delikate dhe mungesa e përgjegjësisë po shkakton zhurma.
“Kryeministri me sjelljet dhe veprimet e tij duke nxitur zhurmën ka shkaktuar problemin. Sot në pjesën veriore të Kosovës kemi më pak institucione të Republikës, kemi më pak shtet të Republikës sepse kryeministri i nxitur nga egoja rrezikoi institucionin”.
“Kurti po rrezikon partneritetin. Sot kryeministri ka për detyrë të garantojë partneritetin ndërkombëtar dhe ligjshmërinë në territorin e Kosovës që janë vështirë të mbahen të balancuara në të njëjtën kohë, por është detyrë e tij që ta bëjë këtë”, shtoi ai.
Po ashtu, Gashi ka potencuar se kërkesa eksplicite e ndërkombëtarëve për shtyrjen 10 mujore për çështjen e targave ka qenë kërkesë që është dashur të pranohet nga kryeministri.
Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shtruar katër veprime të cilat do të duhej të përfilleshin nga Qeveria.
“Veprimi i parë është pranimi i kërkesës për shtyrje për çështjen e targave. Ju lutem të bashkohemi në veprimin e parë deri në marrëveshje. Veprimi i dytë është dialogu me serbët lokalë, serbët e Kosovës, në një dialog intensiv për t’i kthyer ata në institucione. Veprimii tretë është një dialog intensiv i qeverisë me opozitën për shkak të gjendjes. Veprimi i katërt që duhet ta kërkojmë së bashku është një samit në Amerikë deri në përmbylljen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë”.
Ndryshe sipas itj, ikja nga këto veprime, mos-hyrja në temë, e shëtitja në kryeqytetet e Evopës nuk e ndihmojnë gjendjen. Çdo sekond po na kushton, çdo minut e çdo ditë po na kushton, askush nuk do të jetë më pak fajtor, nuk do të jetë vetëm faji i opozitës të gjithë do të bartim në fund peshën e pasojave që na bien si vend”.