Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, pas përplasjes me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, teksa shprehet i revoltuar në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se po kërcënohet nga një person, për armët e blera (me shurdhuese),nga zyra e kryeministrit që në atë kohë ishte Hashim Thaçit.
Tahiri ka potencuar se të njëjtin person e ka denoncuar në Policinë e Kosovës.
Ai ka theksuar se policia e ka identifikuar të dyshuarin për kërcënim, dhe sipas policisë, i njëjti gjendet në burg në Podgoricë duke vuajtur dënimin për një vepër penale.
“Unë kam marrë një kërcënim që e kam denoncuar në polici, policia në raport thotë se është identifikuar personi që iu ka kërcënuar është në vuajtje të dënimit në Podgoricë për organizimin e një vrasje. Ai është një vrasës në Pogdoricë në burg i cili nga burgu më shkruan pikërisht për punën e shurdhuesve. Janë armë që janë blerë për sigurimin e kryeministrit në atë kohë e që nuk ka lidhje me mua”, ka thënë Tahiri.
“Me këtë retorikë që na kërcënoni edhe fëmijët e gratë në shtëpi nuk do t’iu tolerojmë. Me këtë retorikë do të përplaseni keq me ne”.
Lidhur me blerjen e këtyre armëve, Tahiri kishte treguar versionin e tij, ku thoshte se ato armë janë blerë për njësinë e sigurimit të ish-kryeministrit Thaçi.
Ai kishte treguar se ato armë janë blerë me kërkesë nga zyra e kryeministrit, e që në atë kohë Tahiri ka qenë shef i kabinetit të kryeministrit Thaçi dhe kërkesa për blerjen e tyre është bërë nga vetë Tahiri.
“Nëse më kujtohet saktë kanë qenë armë të gjata që kanë qenë me të gjitha pajisjet e tyre, përfshirë edhe me ata shurdhues. Edhe ato janë ble për zyrën e kryeministrit, por janë blerë me urdhër-kërkesë, e që është bërë nga unë. Kam qenë shef i kabinetit në atë periudhë. Njëra nga revolet është shfrytëzuar nga unë, kanë qenë nën posedimin tim, por jo shurdhues sepse revolet s’kanë qenë me shurdhues por kanë qenë armë të gjata. Të cilat edhe sot janë në zyrën e kryeministrit apo në polici”, kishte thënë në atë kohë Tahiri.
Siç kishte deklaruar Tahiri, armën të cilën e ka përdorur ai në kohën sa ka qenë shef i kabinetit nuk ka qenë me shurdhues.