Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka shprehur shqetësimin për arrestimet e fundit të policëve në pikat kufitare, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion.
Arrestimi është veprimi i fundit që duhet të ndërmarrin institucionet përgjegjëse, pasi në fillim duhet të mblidhen të gjitha provat e nevojshme, ka thënë ai në një intervistë për Ekonomia Online.
Sipas tij, Sindikata e Policisë së Kosovës është e shqetësuar për arrestimet e fundit, pasi nuk dihet nëse ka prova të mjaftueshme për dyshimin e bazuar.
Siç është shprehur Zeqiri, Inspektorati Policor i Kosovës(IPK) me rastin e arrestimit të gjithë këtyre zyrtarëve policorë, është masa e fundit dhe masa më e rëndë jo vetëm për një zyrtar policor, por edhe për një qytetar të thjeshtë.
“Arrestimi duhet të ketë prova të mjaftueshme dhe elementare me dyshim të bazuar se vërtetë ai e ka kryer një vepër penale për të cilën pretendohet ose në këtë rast pretendojnë IPK-ja” ka thënë Zeqiri.
Ai ka shtuar se në dy rastet e fundit shumica e të arrestuarve janë liruar në procedurë të rregullt.
Zeqiri ndër të tjera ka kërkuar nga IPK-ja që të mos arrestojë zyrtarët policorë para mediave, sepse, siç thotë ai, kjo krijon një imazh të keq për policinë, prandaj mos të bëjnë spektakël me arrestimin e policëve.
“Kemi dy rastet e fundit ku janë arrestuar policë në kufi, në rastin e parë 48 policë, 20 prej tyre janë liruar dhe janë kthyer në shtëpi, në rastin e dytë janë arrestuar 26 policë dhe 14 prej tyre janë liruar. dhe janë në shtëpi. Është parë para mediave sikur është arrestuar një kriminel. Ata nuk kanë qenë të rrezikshëm dhe nuk kanë pasur mundësi të arratisen për ta bërë arrestimin kaq spektakolar, ka thënë Zeqiri.
Ai për EO, ka thënë se, në emër të Sindikatës së Policisë e kundërshtojnë mënyrën se si ka vepruar Inspektorati Policor me rastin e arrestimit të policëve.
Ai ndër të tjera ka theksuar se, ky spektakël i arrestimeve mund të jetë një njollë për një apo disa zyrtarë policorë kur bëhet lajm se, ai është arrestuar për një keqpërdorim dhe pas një kohe shpallet nga Gjykata i pafajshëm pa prova të mjaftueshme dhe, i njëjti, prapë kthehet në detyrë zyrtare.
Zeqiri ka shtuar se është i bindur se policia nuk është nën ndikimin e politikës dhe se mbetet institucioni më i besueshëm për qytetarët.
“Unë besoj se institucioni policor është ende institucioni më i besueshëm dhe se si grup policia nuk është nën ndikimin politik. Ajo mund të jetë individuale, si në vepra penale ashtu edhe në aspektin e ndikimit”, ka thënë Zeqiri.
Zeqiri ka treguar edhe për vështirësitë me të cilat ballafaqohet Policia e Kosovës, teksa ka theksuar se paga bazë e një polici është 392 euro.
Sipas tij, shqetësuese është mungesa e sigurimeve shëndetësor, ligji për pensionim, duke sqaruar se, për këtë pas pensionimit policët paguhen vetëm 100 euro në muaj.
“Policia e Kosovës nuk ka ligj të pagave. Është një pagë mjaft modeste. Paga bazë e një polici është 392 euro, jemi pa sigurim shëndetësor, pa ligjin i cili është i projektuar për pensionim, dhe zyrtari policor i cili del në pension aktualisht del me 100 euro pension”, ka thënë ai.
Por, në anën tjetër, Ilir Kerçeli, shef i kabinetit të kryeparlamentarit të Kosovës, ka thënë se, Qeveria e Kosovës nuk është fajtore për problemet në polici, dhe se kërkesa për sigurim shëndetësor për policët, sipas tij, është e papërshtatshme përkundër se ata po sfidohen nga sulmet.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nuk është momenti që lajme të tilla për sigurime shëndetësore të Policisë së Kosovës të prodhohen në këto ditë, kur gjatë ditës së shtunë veç është bërë edhe sulmi i pestë mbi policinë e Kosovës brenda 72 orëve.
Shefi i kabinetit të Konjufcës: Kjo qeveri nuk është fajtore për problemet në polici