Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, njëherësh deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, e ka kritikuar Qeverinë që sipas tij ka injoruar kërkesat e ndërkombëtarëve.
Po ashtu, ai ka thënë se janë prekur raportet e Kosovës me partnerët, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E që në lidhje me këtë çështje, Abazi ka treguar se i kishte ofruar ndihmë kryeministrit Albin Kurti, por ai e kishte refuzuar.
Duke iu referuar vendimit për targat, Abazi ka thënë se kjo çështje do të mund të priste deri në momentin e nënshkrimit të një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka folur edhe për kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për krijimin e Asociacionit, duke thënë se Serbia nuk ka zbatuar marrëveshjet për energjinë, targat e as marrëveshjet e tjera.
“Partnerët kanë kërkuar shtyrje të marrëveshjes për targat dhe zbatim të marrëveshjes për asociacionin, siç thotë populli ujkun e kemi në torishtë, tanimë e qartë kush e ka sjellë. Kjo është bërë në kohë dhe rrethana të vështira dhe shumë të dyshimta nga ata që nuk janë në politikë. Serbia nuk i ka zbatuar marrëveshjet për energjinë dhe targat, as marrëveshjet e tjera, por partnerët po kërkojnë që të kryhen obligimet e nënshkruara nga ana e Kosovës, në mënyrë që Serbia të mos ketë hapësirë”, është shprehur ai.
Abazi largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës e ka quajtur “kartë të Serbisë” për të rrëzuar marrëveshjet e Berlinit.
“Largimi i serbëve është karta e Serbisë për të rrëzuar marrëveshjet e Berlinit. Pritej që Serbia të reagonte me sabotim dhe justifikim për të blerë kohë” – ka shtuar ai.
Abazi për situatën në veri: Ka ardhur si pasojë kornizimit të gabuar të dialogut
Në konferencën për media, Abazi teksa ka folur për zhvillimet e ditëve të fundit në veri ka thënë se deri te kjo situatë ka ardhur edhe si pasojë e kornizmit të gabuar të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Abazi ka thënë se është urgjente që Kosova t’i kthehet tavolinës se dizajnimit të politikës se jashtme.
“Alarmi që ngritët është çështja se sa e kemi lënduar marrëdhënien me aleatët ndërkombëtarë dhe pse na ka ardhur situata në këtë moment ku jemi tani. Kjo situatë ka ardhur edhe si pasojë e kornizimit të gabuar të dialogut. Që nga fillimi i mandatit kam ofruar përkrahjen time te kryeministri për marrëdhëniet me SHBA-në. Është urgjente që t’i kthehemi tavolinës së dizajnimit të politikës së jashtme dhe qëndrimeve mirë të analizuara, unë jam i gatshëm për një angazhim të tillë”, ka thënë Abazi.
Gjithashtu, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme ka thënë se ai ka qenë i angazhuar të japë propozime për të mos ardhur në një situatë si kjo e fundit në veri.