Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ushtria është detyra dhe projekti madhor i qeverisjes së tij.
Kurti këto deklarata i bëri pasi në kazermën “Adem Jashari” gjatë ditës së premte u betuan 311 rekrutë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kurti gjithashtu theksoi edhe miratimin e tri projektligjeve nga Kuvendi i Kosovës për ministrinë e Mbrojtjes.
“Ndërsa dje, me shumicë votash Kuvendi miratoi tri projektligje që fuqizojnë bazën ligjore për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Mbrojtjes, FSK-së dhe të drejtat e obligimet për pjesëtarët e FSK-së: plotësim-ndryshimin e Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Ministrinë e Mbrojtjes”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka shtuar se ushtria e Kosovës po forcohet e po zhvillohet për të siguruar e ruajtur paqen.
“Ushtria jonë po forcohet e zhvillohet për të siguruar e ruajtur paqen, demokracinë dhe progresin. U jemi mirënjohës partnerëve, vendeve mike e aleate për gjithë përkrahjen në modernizimin dhe trajnimin e FSK-së”, ka thënë Kurti.