ShBA: Tërheqja e Rusisë nga Khersoni, fitore e jashtëzakonshme për Ukrainën

Rimarrja e Khersonit nga trupat ruse u konsiderua si një "triumf i jashtëzakonshëm" për Ukrainën, të shtunën, nga Shtëpia e Bardhë

Një protestues valëvit një flamur ukrainas përpara Shtëpisë së Bardhë





Shtëpia e Bardhë ka thënë se tërheqja e Rusisë nga qyteti ukrainas i Khersonit është një “fitore e jashtëzakonshme” për Ukrainën.

“Duket sikur ukrainasit sapo kanë shënuar një fitore të jashtëzakonshme, në një prej kryeqyteteve rajonale që Rusia kishte marrë nën kontroll, e që tani është nën kontrollin ukrainas. Kjo është një gjë e jashtëzakonshme”, ka thënë për gazetarët, këshilltari për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, teksa shoqëroi presidentin amerikan, Joe Biden, në samitin ASEAN në Kamboxhia.

Sullivan i bëri këto deklarata disa orë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte deklaruar se Khersoni është “i yni”, dhe pasi forcat speciale ukrainase hynë në qytetin strategjik që gjendet në jug të Ukrainës.

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan

Rusët u tërhoqën nga Hersoni, duke bërë që Kievi të shënojë një fitore të rëndësishme në fushëbetejë, teksa forcat ukrainase po vazhdojnë të rimarrin territorin qëkur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar në fund të shkurtit.

Në videot e postuara në rrjetet sociale shfaqën qytetarë me flamuj kombëtarë të Ukrainës, duke mirëpritur arritjen e trupave ukrainase në qytet.

Ukrainasit mbrëmjen e së premtes kanë festuar rimarrjen e Khersonit deri në orët e vona

“Ne po fitojmë betejat në terren. Por, lufta vazhdon”, ka thënë ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, pasi Ukraina mori Herosnin.

Duke folur në samitin e Azisë Juglindore në Kamboxhia, më 12 nëntor, Kuleba tha se marrja e qytetit ishte e vështirë.

“E kuptoj që të gjithë duan që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne jemi ata që e duam këtë gjë më së shumti”, ka thënë Kuleba, gjatë takimit me kryeministrin e Australisë, Anthony Albanese.

Ndërkaq, Sullivan ka thënë se tërheqja e rusëve “mund të ketë implikime më të gjera strategjike”, përfshirë edhe zbutjen e kërcënimit afatgjatë nga Rusia ndaj qyteteve të tjera jugore ukrainase, sikurse Odesa.

“Është një moment i madh dhe është për shkak të këmbënguljes dhe aftësisë së pabesueshme të ukrainasve, të mbështetur nga mbështetja e pamëshirshme dhe e bashkuar e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë”, ka shtuar ai, raporton The Guardian.

Zelensky e kishte përshkruar atë si një “ditë historike”, pasi Rusia tërhiqet nga i vetmi kryeqytet rajonal i marrë që nga fillimi i luftës.

Turmat brohoritëse përshëndetën trupat ukrainase, ndërsa flamuri i vendit u shfaq në ndërtesat në qytet.

Rreth 30 mijë trupa ruse u tërhoqën nga rajoni, ndërsa para luftës, Kherson kishte një popullsi prej rreth 380 mijë.

Kherson ndodhet në brigjet e lumit Dnipro, afër bregut të Detit të Zi. Gjithashtu, është afër gadishullit të Krimesë – një pjesë e Ukrainës që Rusia e aneksoi në 2014 dhe që përmban një numër të bazave të saj ushtarake.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika