Të hënën e 14 nëntorit, njëri nga personat e dyshuar për shpërthimin në Stamboll është arrestuar nga ekipet e Policisë së Stambollit.
Po ashtu, janë vënë në paraburgim edhe 21 persona të tjerë për shpërthimin në Stamboll që ka ndodhur të dielën e 13 nëntorit, prej të cilit kanë vdekur gjashtë persona dhe janë plagosur mbi 80 të tjerë.
Njoftimin për arrestimin e të dyshuarve e ka dhënë ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu.
Ndërkaq, gazetari turk, Ragip Soylu, përmes një postimi në Twitter ka thënë se e dyshuara ka treguar se ishte trajnuar si oficere speciale.
UPDATE: The Istanbul bomber’s name is Ahlam Albashir, a Syrian national.
She reportedly confessed that she was trained by the PKK as a special intelligence officer and that she had entered Turkey illegally through Afrin-Idlib to take action. pic.twitter.com/TUiUK8RRVA
— Ragıp Soylu (@ragipsoylu) November 14, 2022
“Gruaja gjatë marrjes në pyetje ka rrëfyer se ishte trajnuar si oficere speciale nga organizata terroriste e PKK-së dhe se kishte hyrë ilegalisht në vend nga Arfini”.
Ministri i Brendshëm i Turqisë ka shtuar se përgjegjës për sulmin është Partia e Punëtorëve të Kurdistanit.
PKK është një grup militant që bën thirrje për një shtet të pavarur kurd brenda Turqisë. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë atë si një organizatë terroriste, raporton CNN.
“Pak më parë personi që la bombën është vënë në mbajtje nga ekipet e Policisë së Stambollit. Para arrestimit të tyre u vunë në paraburgim edhe 21 persona të tjerë”, tha ministri. “Fytyra e terrorizmit është e hidhur, por ne do ta vazhdojmë këtë luftë deri në fund, pavarësisht nga kostoja.”
Ndryshe, të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe 81 të tjerë janë plagosur nga shpërthimi në sheshin Taksim që gjendet në qendër të Stambollit. Kështu kanë deklaruar autoritetet turke të dielën e 13 nëntorit, teksa kanë bërë të ditur se sulmi ka ndodhur rreth orës 16:20 sipas kohës lokale.
Në Turqi përkohësisht u ndaluan raportimet e mediave për shpërthimin, duke mos iu lejuar transmetuesve të shfaqnin video të momentit të shpërthimit apo edhe të momenteve pasuese.
Megjithatë, pamjet në rrjetet sociale, ku shihet momenti i shpërthimit në sheshin Taksim në Stamboll, jepnin indikacione se çanta e lënë në një stol, mund të ketë shkaktuar shpërthimin e bombës.
Zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktay, ka deklaruar se besohet që shpërthimi është sulm terrorist, i kryer nga një grua.
Në anën tjetër, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në një konferencë për media në Stamboll, ka theksuar se keqbërësit do të ndëshkohen.
Erdogan, teksa ka dënuar sulmin, ka thënë se të njëtit po “i vjen era terror”.
“Mund të jem gabim nëse e them se jam i sigurt se ky është terror, por sipas shenjave të para, ka një erë terrori në këtë ngjarje”, është shprehur Erdogan, teksa shtoi se “përpjekja për të sunduar Turqinë dhe popullin e Turqisë përmes terrorizmit nuk do të jetë e mundur të arrihet as sot, e as nesër”.
E diela “e pazakontë” në Stamboll, gjithçka nga sulmi që tronditi Turqinë