Të hënën e 14 nëntorit, Policia turke ka njoftuar se ka arrestuar 46 persona në lidhje me shpërthimin në Stamboll, i cili ndodhi të dielën.
Në grupin e personave të arrestuar është edhe gruaja siriane, Ahlam Albashir, e cila dyshohet se ka vendosur bombën.
Tutje policia njofton se gruaja siriane ka thënë se ishte trajnuar nga militantët kurdë në Siri dhe kishte hyrë në Turqi përmes rajonit Afrin të Sirisë veriperëndimore, raporton “US News”.
Ndryshe, të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe 81 të tjerë janë plagosur nga shpërthimi në sheshin Taksim që gjendet në qendër të Stambollit. Kështu kanë deklaruar autoritetet turke të dielën e 13 nëntorit, teksa kanë bërë të ditur se sulmi ka ndodhur rreth orës 16:20 sipas kohës lokale.
Në Turqi përkohësisht u ndaluan raportimet e mediave për shpërthimin, duke mos iu lejuar transmetuesve të shfaqnin video të momentit të shpërthimit apo edhe të momenteve pasuese.
Megjithatë, pamjet në rrjetet sociale, ku shihet momenti i shpërthimit në sheshin Taksim në Stamboll, jepnin indikacione se çanta e lënë në një stol mund të ketë shkaktuar shpërthimin e bombës.
Arrestohen 21 persona të dyshuar për shpërthimin në Stamboll