Në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut e cila po mbahet në Shkup, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka thënë se Shqipëria është një shembull i fqinjësisë së mirë.
Sipas Kovaçevskit, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria qëndrojnë në anën e ruajtjes së stabilitetit.
“Shqipëria është një shembull i fqinjësisë së mirë. Ne qëndrojmë në anën e ruajtjes së stabilitetit. Ne po investojmë në ruajtjen e rajonit”, u shpreh ndër të tjera Kovaçevski, shkruan Klan-tv.
Sipas tij, ky takim i dytë ndërqeveritar avancon bashkëpunimin mes dy vendeve dhe vjen në një kohë krize globale.
Kovaçevski u ndal edhe te procesi i integrimit evropian, ku tha se janë realizuar premtimet dhe detyrat e vëna nga Bashkimi Evropian.
Ndërsa, sa u përket negociatave, Kovaçevski shpreson që të dyja shtetet siç i filluan negociatat t’i përfundojnë së bashku.
“Shpresojmë që deri në 2030 të kemi përfunduar me procesin e integrimit në BE”, u shpreh Kovaçevski.
Rama: Rezultate të mira me Ballkanin e Hapur, mbështesim Procesin e Berlinit
Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vlerësuar marrëveshjet në kuadër të Ballkanit të Hapur, ndërsa theksoi se të dyja vendet janë dhe do të vazhdojnë të jenë mbështetës të palëkundur të Procesit të Berlinit.
Kryeministri shqiptar theksoi se këto nisma janë pjesë të njëra-tjetrës.
“Më 6 Dhjetor në Tiranë do të mbahet samiti i BE me Ballkanin Perëndimor dhe ne do të jemi aty së bashku, me të gjitha dëshirat, problemet, dhe sfidat tona të cilat janë gjithmonë e më të njëjta me ato të vendeve të tjera të BE. Është koha për të projektuar të ardhmen përtej luftës, duke kërkuar nga njëra anë nga BE që të na përfshijë gjithnjë e më shumë në të gjithë përpjekjen e realizuar për t’i rezistuar qoftë goditjes së energjisë, qoftë inflacionit të luftës. Nga ana tjetër për të ndërtuar një plan të përbashkët, që të na japë mundësinë të shohim përtej kësaj faze të vështirë, të zymtë, por jo të pambarimtë. Nuk kemi nevojë të presim fundin e luftës për të projektuar të ardhmen përtej saj”, ka thënë Rama.
Ai, ndër të tjera, ka thënë se interesi më i madh strategjik kombëtar i dy shteteve është që të kenë marrëdhënie sa më të forta.
Po ashtu, ai shtoi se dy vendet e kanë detyrim që të punojnë bashkërisht për stabilitetin e të dyja shteteve dhe njëkohësisht për harmoninë absolute në mes të dy popujve.
Ndryshe, të hënën e 14 nëntorit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është pritur në Shkup nga zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi me rastin e mbledhjes së përbashkët midis dy qeverive.
Në një postim në Facebook, Rama ka shkruar se ka nisur një “ditë të mirë pune e marrëveshjesh që na afrojnë dhe na forcojnë edhe më shumë”.