Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Forumin Ekonomik të Vjenës se Kosova në këtë vit ka pasur rritje ekonomike deri në 10.7 për qind, ka thënë se ka pasur vetëm ngritje enorme të çmimeve e jo rritje ekonomike.
“Do të donim të ishte e vërtetë, do ta përmirësonte jetën e qytetarëve. Kemi parë të kundërtën, kemi parë rritje të çmimeve”, ka deklaruar Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Po ashtu, Tahiri ka thënë se PDK-ja ka kërkuar votimin e një rezolute për gjendjen e shëndetësisë në Kosovë, sepse sipas tij është e papranueshme që ky sektor kaq i rëndësishëm për një kohë të gjatë të mbetet pa ministër.
“Kemi degradim të veprimeve, kjo po ndikon në xhepin e qytetarëve të Kosovës, sepse ata po detyrohen të blejnë medikamentet pavarësisht gjendjes së shëndetësisë në Kosovë”, ka vijuar ai.
Ndërsa se a do të marrë pjesë në takimin me presidenten Osmani për caktim të zgjedhjeve në komunat veriore, ai nuk ka konfirmuar ndonjë gjë.
“Do sillemi konform përgjegjësive që kemi si grup parlamentar, u takon atyre që të mos lejojnë vakuum institucional”.
Ndryshe, të hënën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik të Vjenës ku po diskutohet për zhvillimet politike dhe ekonomike, ka thënë se ekonomia e Kosovës këtë vit ka shënuar rritje mbi 10 për qind.
“Rritja ekonomike e Kosovës është 10.7 %, e cila është më e larta në rajon dhe më e madhja që nga paslufta e Kosovës, po ashtu kemi pasur rritje të GDP-së me 4 %. Ekonomia e Kosovës është duke u rritur shpejt, për çka është me rëndësi demokracia jonë është duke i forcuar. Kemi ardhur më afër tek aspiratat tona demokratike. Jam shumë i kënaqur që kryeministrat e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar tri marrëveshje të rëndësishme në Berlin. Marrëveshjet shpejt pritet të ratifikohen nga Kuvendet e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Kurti.
Ai në këtë forum ka përmendur ndër të tjera arritjet e Qeverisë Kurti në sektorin ekonomik në këtë vit si dhe pakot e ringjalljes ekonomike të ofruara nga qeveria për shkak të inflacionit.
“Kemi vazhduar me pako të ringjalljes ekonomike për shkak të inflacionit në Kosovë. Kemi ofruar subvencione për ata që kursejnë energjinë elektrike, shtesa për pensionistët, studentët e ata që preken më së shumti” ka vijuar Kurti.Po ashtu, shefi i ekzekutivit ka përmendur edhe marrëveshjen me MCC-në për Programin Kompakt.
“Ky grant i ShBA-së është më i madhi në histori të Kosovës”, ka theksuar ai.
Ndër të tjera, ai ka theksuar se këtë vit, World Justice Project e ka renditur Republikën e Kosovës në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për nga sundimi i ligjit dhe në vendin e dytë në botë për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit gjatë vitit të kaluar.
Kurti ka thënë se në këtë konferencë është diskutuar po ashtu mundësia që forumi ekonomik i radhës të mbahet në Kosovë.