Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë për media pas takimit me përfaqësuesit e partive politike ka thënë se 18 dhjetori do të jetë data për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore pas dorëheqjes së këtyre të fundit nga institucionet e Kosovës.
“Pasi të marrim konfirmimet nga KQZ dhe nga organet e sigurisë për mbarëvajtje të zgjedhjeve, me gjasë 18 dhjetori do të jetë data e fundit për zgjedhje”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka thënë se pas kësaj mbledhje sërish do të diskutojë me ekipin ligjor dhe do të bëhet publik vendimi përfundimtar sa i përket datës për zgjedhje.
Sipas saj, ky është edhe afati i fundit kur mund të mbahen zgjedhjet sipas afateve ligjore.
“Është edhe data 11 dhjetor, por kjo do t’u jepte më pak kohë partive politike dhe KQZ-së për t’u përgatitur”.
Ajo ka thënë se në këtë takim ka diskutuar me partitë politike që ishin pjesëmarrëse në këtë konsultim rreth përgatitjeve që duhet të bëjë KQZ, që gjithçka të shkojë sipas rregullave dhe standardeve demokratike.
“Kemi diskutuar për monitorim të zgjedhjeve në këtë proces zgjedhor, të gjitha përgatitjet e nevojshme, që procesi i fushatës zgjedhore, dita e zgjedhjes të shkojë pa tensione në përputhje me standardet e larta të demokracisë”, ka vijuar ajo.
Ajo u është drejtuar qytetarëve serbë të Kosovës duke u thënë se ky është një vendim kushtetues që ka lindur nga akti i dorëheqjeve gjersa ka shtuar se nuk është akt dëshire, dhe nuk mund të ndryshohet.
“Dua të siguroj të gjithë qytetarët serbë të Kosovës që vendimi për shpallje të zgjedhjeve është vendim kushtetues që ka lind nga akti i dorëheqjeve”.
Një ftesë e tillë për caktimin e datës së zgjedhjeve ka ardhur pasi kryetarët e katër komunave të lartcekura më 7 nëntor kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.
Këto dorëheqje janë dorëzuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), për të cilat është njoftuar edhe Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Ndryshe më 5 nëntor, përfaqësuesit e Listës Serbe, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Zgjedhjet në veri: Nis takimi i presidentes Osmani me partitë politike